Lidhje

Harresa ndaj luftrave të Çeçenisë për pavarësi


Në Çeçeni kanë mbetur shumë pak prova nga dy luftra shkatërrimtare që zhvilloi Rusia nga vitet 1994 deri në 1996 dhe lufta e dytë nga 1999 deri në 2009, duke shtypur përpjekjet për pavarësi lëvizjet islamiste. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Daniel Schearf njofton nga kryeqyteti Grozni, se në muzetë e qytetit, nuk flitet se si filluan luftrat, kush ishte përgjegjës apo si përfunduan. Ndërsa, imazhi i presidentit rus Vladimir Putin, njeriut që filloi luftën e dytë, e cilae ndihmoi atë të vinte në pushtet, është vendosur kudo në kryeqytetin çeçen dhe një bulevard kryesor mban emrin e tij.

Salam Shaipov përlotet kur i kujton luftrat e Rusisë kundër pavarësisë së Çeçenisë. Gjatë luftimeve, ai dhe familja e tij jetuan pranë një prej ndrtesave të mbetura në kryeqytetin Grozni të shkatërruar nga luftrat.

“Kishim një jetë normale. Nuk e di kush kishte nevojë për luftë dhe nga erdhi. Njerëzit e zakonshëm nuk e kanë idenë se pse filloi lufta e parë. Nuk e di pse duhej. Gjatë luftës së dytë nuk kishte asnjë lloj rregulli.”

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili nisi luftën e dytë në Çeçeni, tani ka një rrugë kryesore që mban emrin e tij, ndërsa portreti i tij qëndron përkrah udhëheqësve besnikë që ai ka vendosur në atë vend.

Në Muzeumin Kombëtar në Çeçeni gjenden fotot e udhëheqësit aktual, e deri tek një “sixhade” lutjesh, që thuhet se i përkiste udhëheqësit të rezistencës Imamit Shamil, të cilin rusët e detyruan të dorëzohej në vitin 1859. Por nuk ka asnjë gjurmë nga dy luftrat e Çeçenisë. Tamara Elbuzdukaeva është zëvendës drejtoreshë e përgjithshme e muzeumit.

“Siç na kanë mësuar në shkollë,duhet të presësh pak kohë para se të komentosh për historinë. Këto janë ngjarje të kohëve të fundit dhe njerëzit që kanë vuajtur nga lufta, i kanë ende të hapura plagët e saj. Hap pas hapi jemi duke i mbledhur këto materiale.”

Zëvendës drejtoresha thekson se Rusisë ju deshën dekada që të pranonte deportimin e çeçenëve dhe pakicave të tjera nga udhëheqësi sovjetik Josif Stalin.

Në muzeumin Akhmad Kadyrov, dedikuar babait të udhëheqësit çeçen, Ramzan Kadyrov, ka një kënd të vogël me foto nga luftrat në Çeçeni. Por ka pak shpjegime mbi konfliktet apo rolin e Kadirov-it, i cili nga kryengritës në luftën e parë, ndryshoi anë dhe luftoi përkrah Rusisë në luftën e dytë. Luiza Khatueva është cicerone në këtë muzeum.

“Jemi përqëndruar në një temë tjetër këtu dhe më duket e pavënd sepse këtu tregojmë kryesisht se si ka lulëzuar republika jonë.”

Në kryeqytetin çeçen nuk kanë mbetur prova nga luftimet pasi Grozni u rindërtua plotësisht me fonde nga Moska. Muzeumi kombëtar çeçen shpreson se një ditë do të ketë një panair të përhershëm mbi luftrat në Çeçeni. Zëvendës drejtoresha thotë se çeçenët nuk dëshirojnë të jetojnë në të kaluarën, por nga anën tjetër, ata duhet ta dinë historinë e tyre në mënyrë që të mos përsëriten të njëjtat gabime.

XS
SM
MD
LG