Lidhje

Në pritje të ndjeshjes Kosovë-Kroaci


Kosova Soccer
Kosova Soccer

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë të enjten me Kroacinë, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për eliminatoret e Kupës së Botës. Ndeshja do të zhvillohet në Shkodër. Në maj Kosova u bë anëtare e FIFA-s, organi më i lartë i futbollit në botë, duke i hapur asaj rrugën për të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese të kampionatit botëror të futbollit.

Ndeshja do të luhet në Shkodër sepse Kosova nuk ka asnjë stadium të çertifikuar nga UEFA.

“Jemi në stadiumin e Prishtinës që është ndërtuar në vitin 1953. Që atëherë nuk është bërë asnjë investim për të përmirësuar infrastrukturën e stadiumit në mënyrë që ai të përmbushë standartet për ndeshje ndërkombëtare. Për këtë arsye Kosova është e detyruar të luajë ndeshjen e parë si ekip mikëpritës me Kroacinë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Tani stadiumi po riparohet në mënyrë që ai të paktën të plotësojë standartet minimale për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare”, thotë gazetari sportiv, Driton Latifi.

Kosova në muajin maj u bë anëtare e UEFA-s, një javë më vonë iu bashkua FIFA-s dhe më pas u vendos në një nga grupet kualifikuese për Kupën e Botës që do të organizohet në vitin 2018 Rusi.

Në ndeshjen e tij të parë historike në garat ndërkombëtare, ekipi i Kosovës mori një barazim 1-1 ndaj Finlandës. Pas këtij rezultati Kosova është në kërkim të befasive të tjera kundër Kroacisë dhe Ukrainës.

Tifozët e përfaqësueses së Kosovës janë të entuziazmuar për ndeshjen kundër Kroacisë.

“Është një ngjarje historike për vendin tonë dhe ne të gjithë duam ta shikojmë ndeshjen, edhe pse ajo do të luhet në Shqipëri, dhjetëra kilometra larg Kosovës. Por kemi një interes të madh për këtë ndeshje. Të gjithë duam ta shohim”, thotë Gent Shala, tifoz i ekipit të Kosovës.

Ndeshja me Ukrainën do të luhet pas katër ditësh në Poloni pra në një territor neutral pasi Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova është në grupin I, në të cilin përveç Kroacisë dhe Ukrainës konkurrojnë edhe skuadrat e Finlandës, Islandës dhe Turqisë.

XS
SM
MD
LG