Lidhje

Debati presidencial, kush fitoi?


Përballja e dytë mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton mund të ketë qenë ndër më të ashprat në historinë e debateve presidenciale amerikane, por analistët thonë se kjo nuk ka gjasa të ndryshojë faktin që zonja Clinton ka dalë përpara tij në anketa, një muaj para zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Studiuesi i shkencave politike, Stephen Wayne i Universitetit Georgetown në Washington, i tha Zërit të Amerikës se debati ka mundësi ta ketë forcuar mbështetjen për të dy kandidatët, por jo domosdo ka ndryshuar rrjedhën e fushatës, ku zonja Clinton ruan një avantazh mesatar prej pesë përqind dhe udhëheq në shtetet e rëndësishme që vendosin fatin e zgjedhjeve.

Megjithatë, një sondazh i NBC News / Wall Street Journal, i kryer gjatë fundjavës, pas publikimit të komenteve vulgare të zotit Trump, tregon se avantazhi i zonjës Clinton është rritur edhe më shumë: 46-35 përqind. Një tjetër sondazh, “Rasmussen Reports” jep rezultatin 45-38 përqind në favor të zonjës Clinton.

Politologu John Sides i Universitetit George Washington, thotë se Trump doli më mirë në debat, por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të përmirësuar rezultatet e tij në sondazhe.

Wayne thotë se debati mund të ketë shërbyer për të bashkuar më tepër rreth zonjës Clinton demokratët që kanë shqetësime lidhur me të. Sipas tij, edhe zoti Trump e ka konsoliduar bazën e mbështetësve, por nuk ka kaluar dot përtej kësaj. “Mendoj se debati zbuloi karakterin e dy kandidatëve, përforcoi pikëpamjet tona rreth tyre si dhe dobësitë e tyre,” thotë analisti.

Wayne thotë se kandidati Trump "tregoi se nuk kishte njohuri për çështjet”, ndërsa ajo ishte e përgatitur mirë për të mbrojtur veten dhe për të mbështetur çështjet tradicionale për demokratët”. Një anketë e rrjetit CNN menjëherë pas debatit arrinte në përfundimin se Clinton doli fituese me një diferencë 57-34 për qind.

XS
SM
MD
LG