Lidhje

Tenda diellore për tharjen e peshqve


Peshkimi është mënyrë jetese për njerëzit që jetojnë përgjatë liqeneve në Malavi, një vend në juglindje të Afrikës. Mënyra të ndryshme janë përdorur për të tharë peshqit dhe për t’i bërë gati për shitje. Por, meqë thahen jashtë, gati gjysma e tyre prishet. Tani, po përdoret një tendë diellore e cila i ruan peshqit më mirë dhe i than në mënyrë më të efektshme. Deborah Block e Zërit të Amerikës raporton nga Liqeni Çilva, liqeni i dytë më i madh i Malavit.

Kjo tendë e thjeshtë diellore është duke ndihmuar komunitetet e peshkatarëve përgjatë liqenit Çilva me tharjen dhe ruajtjen e peshqve, duke i bërë ata gati për treg. Tenda përbëhet nga plastikë që shtrihet mbi një kornizë druri.

“Kur ne kapim peshq nga liqeni, i thajmë brenda kësaj tende diellore peshku dhe nuk duhet kohë e gjatë për t’i tharë për shkak të temperaturës së lartë”, thotë shitësja e peshqve Jennifer Mussa.

Peshku i tharë është burimi kryesor për proteinë në Malavi.Tradicionalisht, peshqit janë tharë duke përdorur mjete të tjera, si skuqja, ose me tymosje, ose duke i vendosur mbi tela tharjeje. Por, kur përdoren këto metoda, peshku mund të prishet gjatë procesit të tharjes ose të hahet nga kafshët. Tenda diellore i mbron ata.

“Normalisht, do të duhej një ditë e gjysmë ose dy për t’i tharë. Por me tendën, tharja fillon në mëngjes, dhe nga mbrëmja janë gati,” thotë eksperti për peshkim, Mangani Katundu.

Tendat diellore kanë ndihmuar edhe tregtarët e peshkut për të marrë fitime më të larta në treg sepse shesin peshk më të pastër dhe të një cilësie më të lartë.

Tendat diellore janë sponsorizuar nga “Cultivate Africa’s Future”, një projekt i përbashkët i qeverive australiane dhe kanadeze me qëllim për të luftuar urinë. Për tregtarët e peshkut të cilët dëshirojnë të vazhdojnë t’i tymosin peshqit e kapur, organizata inkurajon përdorimin e furrave që të kursejnë energji, në vend të zjarreve të hapura. Kjo ndihmon mjedisin, sepse do të duhet të priten më pak pemë për drurin e zjarrit.

“Ne tani përdorim më pak dru dhe duhet më pak kohë për të tymosur shumë peshq,” thotë Loveness Mphongo.

Tendat diellore po përdoren edhe nga peshkatarët në Liqenin Malavi, liqenin e tretë më të madh në Afrikë.

XS
SM
MD
LG