Lidhje

Gazeta serbe pranon fajin për intervistën e rreme me Trump


E përjavshmja serbe “Nedeljnik” ka tërhequr artikullin ku thuhej se kandidati republikan për president në SHBA, zoti Donald Trump, pati kërkuar ndjesë për rolin amerikan gjatë bombardimeve të Jugosllavisë në vitin 1999.

Gazeta thotë se në një deklaratë të saj se “ndoshta u zu në mes të fushatës elektorale presidenciale, ose u mashtrua nga Vladimir Rajcic”, i cili ishte personi i kontaktit për intervistën me zotin Trump.

Deklarata e gazetës serbe thotë se ishin përpjekur për mbi një vit për të marrë një intervistë me Donald Trump-in, që kur ai njoftoi se do të kandidonte. Pasi nuk arriti gjë përmes kanaleve zyrtare, gazeta thotë se veproi nëpërmjet kontakteve personale.

Gazeta thotë se Vladimir Rajcic, një aktor dhe producent serb që jeton në SHBA, pati dëshmuar vazhdimisht se kishte lidhje të afërta me kandidatin për nënpresident, Mike Pence, dhe u ofrua të ndihmonte gazetën për të marrë këtë intervistë.

Artikulli i botuar ditën e enjte për vetëm disa orë, thoshte se zoti Trump i ishte përgjigjur pesë pyetjeve, njëra prej të cilave ishte për pikëpamjet e tij rreth Ballkanit, Serbisë dhe bombardimeve të NATO-s. Si përgjigje e tij ishte shkruar se “serbët janë vërtet njerëz shumë të mirë; bombardimi ishte një gabim i madh dhe administrata Clinton krijoi kaos në Ballkan”.

Megjithëse stafi i fushatës së zotit Trump denoncoi menjëherë artikullin, duke e quajtur “një mashtrim”, artikulli u mor menjëherë nga mediat amerikane që mbulojnë fushatën presidenciale.

Edhe kandidatja për presidente Hillary Clinton reagoi menjëherë për pikëpamjet e shprehura në lidhje me bombardimet.

Jason Miller, këshilltari kryesor për komunikimin i fushatës Trump, tha se “zoti Trump nuk i dha kurrë intervistë gazetës serbe ‘Nedeljnik’, siç u raportua gabim nga e diskredituara ‘Newsweek’, dhe as u zhvillua ndonjë intervistë e tillë nëpërmjet drejtueses sonë për shtetin e Indianas”, zonjës Suzanne Ryder Jaworowski.

Vetë zonja Jaworowski u shpreh se janë komplet false njoftimet për një një intervistë me një politikan serb dhe zotin Trump nëpërmjet email-it të saj. Ajo sqaroi se nuk ka shërbyer kurrë si ndërmjetësuese intervistash për zotin Trump.

XS
SM
MD
LG