Lidhje

Vendi i shenjtë, “përplas” Izraelin me palestinezët


UNESCO-s miratoi të martën një rezolutë që kritikon politikën izraelite lidhur me objektin e shenjtë në lindje të Jeruzalemit, të adhuruar prej myslimanëve dhe hebrejve.

Objekti i quajtur “Temple Mount” prej hebrejve dhe “Al-Aksa” nga myslimanët u morr nën kontroll nga Izraeli në vitin 1967. Prej asaj kohe ka qenë qendër e tensioneve të vazhdueshme, mes hebrejve dhe arabëve. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për përpjekje për të ndaluar hyrjen dhe kryer rituale faljeje në vendin e shenjtë.

Në rezolutën e UNESKO-s, që i referohet objektit si Al-Aqsa, shprehet keqardhje e thellë për punimet që ka kryer Izraeli në brendësi dhe në pjesën lindore të qytetit të vjetër të Jeruzalemit, duke theksuar se ato, kanë për qëllim të pengojnë myslimanët të falen aty.

“I kujtojmë Izraelit se ata janë fuqia pushtuese dhe si e tillë e kanë për detyrim, madje jo vetëm detyrim, por duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar, që u kërkon së pari të mos kryejnë punime dhe së dyti të mos ndryshojnë emrin e objektit”, thotë Mounir Anastas, zëvendës ambasadori palestinez në UNESCO.

Ambasadori izraelit në UNESCO, Carmel Shama –Hacohen tha se vendi i tij nuk do të bëhet pjesë e asaj që ai e cilësoi si “një lojë të shëmtuar”.

“Kjo organizatë fisnike u krijua të ruajë historinë dhe jo ta rishkruajë atë. Palestinezët dhe arabët duan të rishkruajnë historinë e Jeruzalemit. Ne nuk kemi nevojë për asnjë miratim, jo prej palestinezëve, megjithë respektin për ta dhe as prej bordit ekzekutiv. Lidhja historike e popullit hebre me Jeruzalemin është kaq e fortë sa askush në botë nuk mund ta zhbëjë”.

Javën e kaluar 24 diplomatë të UNESCO-s votuan pro rezolutës së sponsorizuar nga vendet arabe, 6 votuan kundër dhe 26 abstenuan. Si pasojë Izraeli pezulloi bashkëpunimin me UNESCO-n. Drejtorja e përgjithshme e organizatës Irina Bokova e kritikoi rezolutën duke u shprehur se çdo përpjekje për të fshirë traditën e hebrejve, myslimanëve apo të krishterëve vë në rrezik integritetin e Tempullit apo të Al Aksa.

XS
SM
MD
LG