Lidhje

Raporti: Bota shtazore po zhduket me ritme të papara


Sipas një raporti të ri, bota shtazore ka pësuar një rënie prej rreth 60 përqind që nga viti 1970.

Në raportin e publikuar nga Fondi i Botës Shtazore dhe Shoqata Zoologjike e Londrës, thuhet se faji për këtë rënie duhet kërkuar tek aktiviteti njerëzor.

Raporti paralajmëron se nëse prirja e tanishme vazhdon, rënia e numrit të gjitarëve, shpendëve, peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve mund të arrijë në dy të tretën deri në vitin 2020, ose rreth 2 përqind në vit.

"Bota shtazore po zhduket me ritme të papara," tha Marco Lambertini, drejtor i Përgjithshëm i Fondit Ndërkombëtar të Botës Shtazore.

Raporti bazohet mbi treguesin e llojeve të hartuar nga shkencëtarët për vëzhgim afatgjatë dhe që përbëhet nga 3,700 lloje kafshësh.

Sipas raportit, rënia dramatike e faunës është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zhvillimit njerëzor. Rritja e popullatës së botës, e cila është mëse dyfishuar që nga viti 1960, duke arritur në rreth 7.4 miliardë, nënkupton më pak hapësirë për kafshët dhe mund të çojë në zhdukjen e tyre, nëse nuk bëhen ndryshime.

XS
SM
MD
LG