Lidhje

Halloween-i në shtëpitë e Aleksandrias


Halloween është dita më e frikshme e vitit në Shtetet e Bashkuara me njerëzit që marrin pjesë në mbrëmje të veshur me kostume, duke vizituar shtëpi të zbukuruara dhe duke treguar histori të frikshme. Por, më 31 tetor, Halloween-i është më i njohur për fëmijët e veshur me kostume që shkojnë derë më derë për të marrë karamele. Tradicionalisht, i vetmi zbukurim ishte një kungulli në frontin e shtëpisë. Por tani, më shumë se kurrë më parë njerëzit zbukurojnë shtëpitë e tyre për Halloween-in. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Block na çon në disa shtëpi të zbukuruara me frymën e Halloween në Aleksandria, të shtetit Virxhinia, pranë Uashingtonit.

Gjëra të mëdha po ndodhin për Halloween në shtëpinë e familjes Christ në Aleksandria, me krijesa të kobshme që dalin nga errësira.

Dy javë para Halloween-it, 32-vjeçarja Nicole Christ, që jeton me të jatin, filloi të vinte dritat dhe zbukurimet e tjera.

“Dashuria ime me Halloween-in filloi kur babai më merrte për të shkuar për të mbledhur karamele në këto shtëpi të bukura. Kur isha 17 vjeç, fillova ta zbukuroja vetë shtëpinë.”

Tani ajo ka një koleksion të madh zbukurimesh që i ka blerë gjatë viteve.

“Është një hobi i shtrenjtë por që ia vlen. Ky është pasioni im dhe e pres atë me dëshirë çdo vit.”

Ndërsa koleksioni i saj shtohet, e njëjta gjë ndodh me njerëzit që shkojnë në shtëpinë e saj për karamele në ditën e Halloween-it dhe shohin zbukurimet. Vitin e kaluar ajo pati 200 vizitorë.

“Më pëlqen kur shoh njerëzit që vijnë dhe shoh reagimet e tyre. Vërtet më pëlqen që në frymën e Halloween-it t’i tremb njerëzit. Kur ata tremben më bëjnë të qesh.”

Në familjen Buffaloe, oborri është shndërruar në varrezë ku mumjet dalin nga toka. 13 vjeçari Will Buffaloe e ka mbushur shtëpinë me sende të frikshme.

“Mund ta lësh imagjinatën të lirë. Është e vetmja mundësi në një vit kur të lejohet të fantazosh dhe të trembësh të tjerët pa u gjykuar.”

Halloween, apo Vigjilja e të Gjithë Shenjtorëve festohet në pjesë të ndryshme të botës si një ditë për të kujtuar të vdekurit. Kështu për një familje ukrainase që vendosi pak zbukurime në shtëpi, festa e Halloweenit në Shtetet e Bashkuara duket e veçantë. Familja erdhi në Aleksandria tetë muaj më parë.

“U befasova por më pëlqen. Është një shans i mirë për ne dhe fëmijët të kalojmë një mbrëmje të këndshme. Kështu që vendosëm ta zbukurojmë shtëpinë me një skelet dhe kungullin tradicional.”

Me zbukurime të thjeshta apo ekstravagante, njerëzit e çdo moshe mund të argëtohen në ditën Halloween.

XS
SM
MD
LG