Lidhje

Banorët që po i largohen territorit të Shtetit Islamik


Ndërsa familjet irakiane largohen me kamionë prej betejës kundër Shtetit Islamik, mijëra tenda të ngritura në shkretëtirën rrotull Mosulit po mbushen gradualisht nga banorët e fshatrave.

Disa prej tyre thonë se grupi militant duket se po humbet fuqinë dhe kontrollin mbi njerëzit që arratisen.

Të premten në darkë, rreth 40 persona mbërritën në kamp me dy kamiona. Në mëngjes i ishin larguar fshatrave të bombarduar që ruheshin nga roje të Shtetit Islamik. Ndërsa po hynin në kamp, familjarët i mirëpritën të përlotur.

“Kishim frikë të iknim”, thotë 26-vjeçari Youseff, ish-punonjës ndërtimi që po udhëtonte së bashku me gruan dhe një fëmijë të vogël. “Por, nuk kishim tjetër zgjidhje. ISIS na qëllonte me armë ndërkohë që po largoheshim nga fshati.”

Gratë dhe fëmijët janë grumbulluar në një pjesë pranë gardhit, ndërsa burrat në një pjesë tjetër. Meshkujt kanë të gjithë mjekra të tipit të ISIS-it dhe pantallona të shkurtuara, pasi i tillë është ligji i militantëve. Shumë prej tyre rruhen sapo mbërrijnë, thotë Islami, një ushtar peshmerga. “Janë njerëz të zakonshëm dhe i shqetëson që duken si të ISIS-it”, shpjegon ai.

Të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në territorin e ISIS-it, thotë ai, pavarësisht frikësimit nga beteja që po zhvillohet ndërsa ushtarët irakianë dhe ata peshmerga përparojnë drejt Mosulit, popullsia e të cilit llogaritet në 1.5 milionë.

Ai thotë se disa që qëndrojnë janë anëtarë të ISIS-it, por se ka edhe të tjerë që mbrojnë shtëpitë e tyre, dhe familjarët. Në shumë vende, Shteti Islamik thotë se do të vrasë familjarët e mbetur të të arratisurve.

Youseff thotë se nuk ishin vetëm ndëshkimet e ashpra, rregullat makabre apo frika nga beteja që i shtrëngoi të largoheshin. Vetë familja ishte krejtësisht e varfëruar për shkak të mungesës së punës dhe kontaktit me botën e jashtme.

Ai thotë se grupi militant duket se po e humb kontrollin mbi fshatrat dhe se si shumë të tjerë në kamp, ai vendosi se kishte ardhur koha të largohej.

Ai thotë se “fillimisht ishin shumë të fuqishëm, por tani duket se janë dobësuar. Kështu që shfrytëzuam rastin”.

XS
SM
MD
LG