Lidhje

Tension mes Tiranës dhe Athinës


Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë tensionuar në 48 orët e fundit lidhur me zhvillimet në Himarë, zonë për të cilën shpesh Athina zyrtare ka pretenduar se është minoritare. Shkak është bërë vendimi i Bashkisë për prishjen e disa godinave, disa prej të cilave janë ndërtuar pa leje, sipas bashkisë, për t’i hapur rrugë zbatimit të planit urbanistik për zhvillimin e qendrës së qytetit. Pas protestës së një pjese të banorëve të Himarës, ka reguar edhe ministria e jashtme greke e cila ka shprehur “shqetësimin për prishjen e 19 banesave të pjestarëve të minoritetit grek”, duke kërkuar anullimin e këtij vendimi. Ministria e Jashtme greke më pas i kujton Shqipërisë procesin e integrimit europian kur thekson se “mbrojtja e të drejtave të pronësisë veçanërisht ajo e minoriteteve, është një pjesë e 5 kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Prandaj, në qoftë se Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duhet të tregojë që vepron si një shtet ligjor duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e të gjithë banorëve pavarësisht kombësisë dhe origjinës”.

Ndaj deklaratës reagoi mbrëmë ministria e Jashtme shqiptare e cila njoftoi se kishte thirrur edhe ambasadoren e Greqisë në Tiranë për sqarime. Ministria e Jashtme shqiptare shprehet e “habitur nga qëndrimiet e ministrisë së Jashtme greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, veçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm”. Sipas ministrisë së Jashtme të Shqipërisë “deklaratat e përsëritura të Ministrisë së Jashtme greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në ku ndërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës”, ndërsa thekson se “Shqipërina nuk bën dallime në respektimin” e këtyre të drejtave.

Tensionet kanë vazhduar më tej pasi kryeministri Edi Rama postoi sot në faqen e tij në Facebook një gravurë të vjetër të Akropolit në Athinë të shoqëruar me një tekt sipas të cilit, referuar një shkrimi të vitit 1925 të princit grek Eugene Rizo-Rangabe, në vitet 1600 në Athinë “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”. Kryeministri vijon më tej duke kujtuar se “nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk. Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar”, shkruan zoti Rama duke kaluar më pas në paralelizmin me Himarën. “Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE”, përfundon kryeministri shqiptar.

Ndërsa në mediat greke, ky postim i zotit Rama është parë si një provokim, ministria e Jashtme greke reagoi sërish pasdite për çështjen e Himarës. "Zyrtarët shqiptarë nuk mund të pretendojnë gjithandej se të drejtat e minoritetit grek respektohen në të gjithë vendin, në të njëjtën kohë që ata i shkelin ato në praktikë, duke minuar ecurinë europiane të vendit të tyre. Faktet flasin vetë, lajmërimet për shembjet e shtëpive, në kuadër të planit rregullues të Himarës, janë dërguar në persona të minoritetit grek. Bëhet fjalë për një veprim që të çon në përfundimin se ka një plan për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek", theksohet në deklaratën e dytë të Athinës.

XS
SM
MD
LG