Lidhje

Clinton dhe Trump intensifikojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit


Hillary Clinton dhe Donald Trump nuk po i kursejnë fjalët në sulmet ndaj njëri-tjetrit, ndërsa rezultatet e anketave tregojnë se gara mes tyre vazhdon të jetë e ngushtë. Rivaliteti i fortë i ka bërë dy kandidatët të luftojnë për të fituar epërsi në ditët e fundit të fushatës.

Hillary Clinton, kandidatja demokrate u përpoq ta zhvendoste fokusin tek rivali Trump pas disa ditësh kritika ndaj FBI-së, që vendosi të rihapë hetimin lidhur me emailat e saj.

Zonja Clinton bëri fushatë në Florida të martën me Alicia Machadon, ish Miss Universin, e cila thotë se Trump e përçmoi atë për pamjen e saj fizike kur ishte pronar i konkursit të bukurisë.

Clinton e sulmoi zotin Trump për çështjet e karakterit dhe temperamentit, veçanërisht për trajtimin e grave.

"Ai nuk na sheh ne si qënie njerëzore, me ëndrra, me synime, me mundësi dhe këtë e ka treguar qartë gjatë fushatës së tij. E pra ai e ka gabim. E ka gabim si për gratë edhe për burrat e këtij vendi. Ai e ka treguar veten. Le t’ja tregojmë të martën se kush jemi ne."

Ndërkohë, Trump premtoi gjatë një tubimi fushate në Pensilvani se do të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor, që po kritikohet vazhdimisht ndërsa konsumatorët përballen me rritjen e çmimit për disa plane të sigurimit shëndetësor.

"Do t’i kërkoj Kongresit të thërrasë një seancë të posaçme për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin. Do të jetë nder për mua, për ju, për të gjithë në këtë vend pasi Obamacare duhet zëvendësuar. Ne do ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë shpejt. Ligji është katastrofë."

Trump ka tre tubime të planifikuara për sot në Florida, një nga shtetet që shihet si i domosdoshëm për të siguruar 270 votat elektorale që duhen për të marr presidencën.

Clinton shkon sot në Arizona, një shtet tradicionalisht republikan por ku popullsia hispanike në rritje kundërshton qëndrimin anti-imigracion të Trumpit dhe premtimin e tij për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Anketat e fundit flasin për një garë të ngushtë Clinton-Trump, ndërkohë që një pjesë e të anketuarve, ndonëse mjaft e vogël, kanë preferenca pro kandidatëve të partive të treta, Gary Johnson i Partisë Libertariane dhe Jill Stein i Partisë së Gjelbër.

XS
SM
MD
LG