Lidhje

Përpjekjet për formimin e qeverisë së re


Presidenti i zgjedhur Donald Trump po vepron me shpejtësi për formuar qeverinë e re, megjithë mijëra protestues që dalin çdo mbrëmje në demonstrata kundër zgjedhjes së tij.

Menaxherja e fushatës Trump, Kellyanne Conway, tha se një emërim kyç, ai i shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, pritet nga momenti në moment, ndërsa po shqyrtohen disa emra në përgatitje të inaugurimit të zotit Trump më datë 20 janar. Ky emërim do të sinjalizojë nëse zoti Trump synon ta vazhdojë fushatën e tij si një i jashtëm kundër Uashingtonit, apo nëse do të përdorë një takt më pajtues në qeverisje.

Zonja Conway konfirmoi se një person i brendshëm i qarqeve në Uashington, kreu i konventës republikane Reince Preibus, i cili ndihmoi në fitoren befasuese të zotit Trump ndaj zonjës Clinton, ka shprehur interes për pozicionin e shefit të stafit që shpesh ndihmon në përcaktimin e axhendës së punës së presidentit të Shteteve të Bashkuara. Një alternativë tjetër krejt e ndryshme, është Steve Bannon, që drejtonte faqen e lajmeve anti-Uashington, “Breitbart”, përpara se të bëhej shefi ekzekutiv i fushatës Trump.

Megjithë protestuesit e shumtë të mbledhur përpara Kullës Trump në Nju Jork, zonja Conway tha se zoti Trump ka vazhduar takimet, telefonatat, bisedat dhe intervista me pjesëtarët e mundshëm të qeverisë së tij.

Zoti Trump u takua edhe me udhëheqësin britanik Nigel Farage, i cili drejtoi përpjekjen për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Zoti Farage u shpreh se mbështetja e zotit Trump për marrëdhënien afatgjatë SHBA – Britani është shumë e fortë. Ai e përshkroi zotin Trump si një njeri me të cilin mund të punosh.

XS
SM
MD
LG