Lidhje

Hillary Clinton del për herë të parë pas zgjedhjeve në publik


Ish kandidatja për presidente në zgjedhjet presidenciale Hillary Clinton u shfaq për herë të parë në publik, një javë pasi pranoi humbjen në garën me rivalin e saj republikan Donald Trump. Ajo i bëri thirrje të pranishmëve në një takim, ta kapërcejnë zhgënjimin lidhur me zgjedhjet dhe të vazhdojnë punën për ta bërë Amerikën një vend më të mirë.

Zonja Clinton u prit me duartrokitje të gjata në një takim të organizuar në Uashington nga Fondi i Mbrojtjes së Fëmijëve. Kandidatja e Partisë Demokrate pranoi se e kishte patur shumë të vështirë që pas humbjes së saj të papritur në garën me miliarderin e Nju Jorkut.

"Dua të pranoj, se nuk e pata të lehtë të vija në këtë takim. Gjatë javës së fundit disa herë doja vetëm të rrija në shtëpi duke lexuar një libër të mirë, duke përkëdhelur qentë tanë, me ndjenjën për të dalë më kurrë nga shtëpia.”

Ish sekretarja e Shtetit dhe senatore e Shteteve të Bashkuara i bëri thirrje të pranishmëve ta kapërcejnë zhgënjimin lidhur me zgjedhjet dhe të vazhdojnë punën për ta bërë Amerikën një vend më të mirë.

"E di që gjatë javës së fundit shumë njerëz i kanë bërë pyetjen vetes në se Amerika është vendi që kishim ëndërruar. Përçarjet që u evidentuan në këto zgjedhje janë të thella. Por ju lutem, më dëgjoni: ja vlen, të punosh për Ameriken, për fëmijët tanë. Kini besim tek vendi ynë, përpiquni për vlerat tona dhe mos u dorëzoni kurrë.”

Takimi i Washingtonit u zhvillua për të nderuar pesë nxënës të shkollës së mesme, të cilët morën pjesë në programin “Kapërceni vështirësitë”, të Fondit të Mbrojtes së Fëmijëve, i cili mbështet të rinjtë që kanë përjetuar fatkeqësi dhe vështirësi në jetën e tyre.

Zonja Clinton ka patur lidhje me këtë organizatë jo-fitimiprurëse që në fillim të viteve ’70, anëtare e së cilës ajo u bë menjëherë pasi u diplomua si juriste në Universitetin Yale.

XS
SM
MD
LG