Lidhje

Trump: Do të dalim nga Partneriteti i Trans-Paqësorit


Presidenti i zgjedhur Donald Trump thotë se në ditën e parë në detyrë do të njoftojë zyrtarisht se Amerika po tërhiqet nga Partneriteti Trans-Paqësor, një pakt për tregti e shkëmbime të lira me pjesëmarrjen e 12 vendeve të pellgut të Paqësorit. Kjo masë, thonë përfaqësues të presidentit të ardhshëm, merret në kuadër të disa hapave me synimin për të vënë në plan të parë interesat e Amerikës:

Përmes një video-klipi të vënë në YouTube të hënën, zoti Trump kritikon marrëveshjen për tregti të hapur në Trans-Paqësor, duke e quajtur “shkatërrimtare për Amerikën”.

“Në vend të saj do të negociojmë marrëveshje të drejta dypalëshe për tregtinë, të cilat do të rikthejnë vendet e punës dhe sektorët e prodhimit në tokë amerikane”.

Ministra nga 12 vendet që e nënshkruan marrëveshjen, thanë në shkurt të këtij viti se synimi ishte “shtimi i begatisë, krijimi i vendeve të punës dhe nxitja e rritjes së qëndrueshme ekonomike për të gjitha vendet pjesëmarrëse”.

Kryeministri japonez Shinzo Abe sot në komentet për shtyp tha se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, marrëveshja praktikisht merr fund.

“Marrëveshja është e pakuptimtë pa Shtetet e Bashkuara. Tërheqja e Amerikës do të trondiste balancën e përfitimeve nga ky pakt, prandaj do të jetë i pamundur ri-negociimi. Do t’i bëja thirrje administratës së ardhshme amerikane të shmangte komentet në këtë fazë”.

Presidenti Barak Obama e mbështeti paktin, por Kongresi nuk e ka ratifikuar, pra Amerika zyrtarisht nuk është pjesëtare e tij.

Ministri australian i Tregtisë Steve Ciobo këmbëngul se tërheqja e Amerikës nuk është medoemos fundi i marrëveshjes:

“Mënyra si u hartua marrëveshja TPP e bën të nevojshëm ratifikimin e saj në vendet anëtare, por ratifikimi mund të bëhet brenda një periudhe 24 mujore. Deri tani kanë kaluar rreth 8-9 muaj, pra ka ende kohë”.

Pa Shtetet e Bashkuara TPP bëhet e pavlefshme, pasi nevojitet miratimi nga të 12 anëtarët, ose së paku nga 6 anëtarë, ekonomitë e të cilëve përfaqësojnë 85% të prodhimit të përbashkët bruto të të gjithë grupit. Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë 60% të prodhimit të përbashkët të të gjithë grupit, pra bëhet e pamundur përmbushja e parakushtit nëse tërhiqet Uashingtoni.

Tani që pakti i tregtisë është në kërcënim serioz, përkrahësit e kësaj marrëveshjeje po ngrenë shqetësimin se Kina mund të marrë tani rolin udhëheqës në shkëmbimet tregtare të rajonit. Prej kohësh Kina është përpjekur të ngrejë një pakt paralel për nxitjen e tregtisë në Azi-Paqësor, të quajtur Partneriteti Rajonal Ekonomik, pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG