Lidhje

Trump takohet me drejtuesit e gazetës "The New York Times"


Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump u takua të martën në drekë me ekipin e gazetës “The New York Times”.

Në takim Donald Trump hodhi poshtë lëvizjen e supremacistëve të bardhë, një segment i elektoratit që mbështet presidentin e zgjedhur. Zoti Trump u përpoq të distancohej nga grupi i nacionalistëve të bardhë, që thirri parrulla naziste në një takim jo larg Shtëpisë së Bardhë.

Fillimisht zoti Trump pati njoftuar në Twitter se e kishte anuluar takimin me ekipin e gazetës, që shpesh është kritikuar nga presidenti i zgjedhur.

Ai tha se arsyeja e këtij vendimi kishte qenë ndryshimi i kushteve të takimit në minutën e fundit. Por disa minuta më vonë, zoti Trump e la të hapur mundësinë e një takimi, megjithë akuzat e tij ndaj gazetës, se “vazhdon ta mbulojë atë në mënyrë të pasaktë dhe me një ton të shëmtuar.”

Donald Trump po vazhdon sot për të dytën ditë me radhë takimet me mediat, me të cilat ai pati shpesh fërkime gjatë 18 muajve të fushatës elektorale.

Në takimin që pati dje me figura të njohura të televizioneve ai kritikoi mënyrën se si e mbuluan fushatën elektorale dhe i akuzoi ato që nuk i kishin raportuar treguesit e parë të fitores së tij të pappritur ndaj kandidates femokarte Hillary Clinton.

Takimet e zotit Trump me mediat po mbahen pasi 18 media i drejtuan atij javën e kaluar një letër të hapur, ku i kërkonin të mbante një ekip gazetarësh që të mbulojë aktivitetet dhe lëvizjet e Presidentit, si dhe të zhvillojë konferenca të rregullta shtypi me mediat.

XS
SM
MD
LG