Lidhje

Jeta pas arsimimit të pazakontë në Universitetin Draper


Në Luginën e Silikonit në Kalifroni ka shumë shkolla dhe programe që u mësojnë studentëve se si të fillojnë bizneset e tyre, por Universiteti Draper ka një teknikë të veçantë dhe të pazakontë të mësim-dhënies. Themeluesi, Tim Draper, thotë se qëllimi i programit është përgatitja nga ana mendore e pjesmarrësve për problemet dhe sukseset me të cilat mund të përballen në rolin e sipërmarrësit. Dy të diplomuar tregojnë historinë e jetës së tyre para dhe pas programit.

Jo rastësisht Christine Ntim jeton dhe punon 10 minuta larg aeroportit në Nju Jork.

E rritur në Haiti, asaj i pëlqejnë udhëtimet, të cilat edhe ndikuan tek ideja për të formuar Vendedy, që ofron të dhëna mbi tregjet në rrugë.

“Që nga stërgjyshërit e mi e deri tek prindërit të gjithë kanë qënë shitës në rrugë. Nuk e kisha kuptuar se kjo është një mënyrë jetese për shumë njerëz. Kështu filloi gjithçka.”

Ajo që e ndihmoi kompaninë e saj për të ecur përpara ishte një program në Universitetin Draper në Luginën Silikon, gjë që e ndihmoi të merrte një vendim jashtë realitetit që njihte.

“Jam rritur si shitëse rruge dhe di si të shes gjithçka, ndaj po të mos ndihem rehat, e di se kjo ishte një eksperiencë e re. M’u desh të shisja profilaktikë. Ishte e vështirë.”

Themeluesi i shkollës, Tim Draper, thotë se programi i nxit studentët që të mendojnë në mënyrë krijuese për të tejkaluar sfidat. Synimi i tij është të ushqejë ndjenjën e sipërmarrësit, duke i quajtur ata superheronj.

“Duhet të jesh elastik, i pathyeshëm, këmbëngulës dhe të jesh në gjendje të tejkalosh pengesa të mëdha që të arrish sukses.”

Universiteti ka studentë prej më shumë se 70 vendeve. Diplomantët kanë krijuar rreth 350 kompani.

Pakistanezja Asra Nadeem u ndje si në shtëpinë e saj.

“Duke qenë nga Pakistani, gjithë jetën më kanë thënë që nuk duhet të më dëgjohet zëri. Nëna ime gjithmonë shprehte pakënaqësi me tonin e zërit tim.”

Në të kundrët, ajo thotë se këmbëngulja e saj vlerësohet këtu dhe idetë e pazakonta përqafohen.

“Doja të ndërtoja qytete vertikale apo të nxirrja minerale nga asteroidë.”

Kur studentët u diplomuan me kostume të superheronjve, Nadeem thotë se u ndje krenare. ​

“Dikush që gjatë gjithë jetën është ndjerë se nuk përshtatet me realitetin përreth, tema e tregimeve me superheronj u përshtatet. Superheronjtë, po ashtu janë anomali në shoqëri, që ndjehen të huaj dhe papritur, këta njerëz me aftësi specuake sjellin mendime revolucionare kur punojnë së bashku.”

Kur Nadeem u diplomua, Draper i ofroi asaj një vend pune për shkak të vetëbesimit të saj.

Tani ajo punon për të mbështetur sipërmarrës të tjerë duke i udhëzuar si të përmbushin detyra të pazakonta.

XS
SM
MD
LG