Lidhje

Gjyqtarët çojnë në Kushtetutese tjetër ligj të Reformës


Në Shqipëri, dy shoqatat që përfaqësojnë gjyqtarët, janë bashkuar për të ankimuar sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, miratuar nga parlamenti në muajin tetor, si pjesë e paketës për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, ligji është në shkelje të të paktën të 22 neneve të Kushtetutës. “Cënohen disa parime kushtetuese, si parimi i Shtetit të së drejtës, parimi i sigurisë juridike, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, parimi i prezumimimit të pafajësisë, ai i barazisë para ligjit, cënohet e drejtat e statusit të gjyqtarëve dhe parimet e procesit të rregullt ligjor apo dhe e drejta për të patur një mbrojtje efektive”, deklaroi pas dorëzimit të ankimimit Erion Bani, i Shoqatës së Gjyqtarëve.

Kërkesa e dy shoqatave që përfaqësojnë praktikisht të gjithë trupën e gjyqtarëve është që ligji të shfuqizohet e po ashtu të pezullohet zbatimi i tij për shkak se sipas tyre “krijon vakum institucional dhe kaos në sistemin e drejtësisë e madje dhe rrezikon që dhënia e vendimeve të bllokohet”. Po ashtu sipas ankesës me anë të ligjit janë cënuar edhe “disa kompetenca Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilat Kushtetuta ja njeh”.

Ky është ligji i dytë, pas atij për rivlerësimin e gjyqtarëve, i cili kundërshtohet në Gjykatën Kushtetutese, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun që procesi i reformës në Drejtësi të zvarritet, ndërkohë që zbatimi i saj konsiderohet si një element kyç që Shqipëri të mund të arrijë të hapë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin europian.

XS
SM
MD
LG