Lidhje

Shtëpia e Thomas Edisonit


Edhe pse kur përmendet emri i tij, mendohet rreth llambës elektrike, Thomas Edisoni gjatë jetës së tij krijoi qindra pajisje mekanike dhe elektrike të cilat ndryshuan jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Shtëpia ku ai jetoi dhe punoi në Nju Xhersi, tani është një objekt nën kujdesin e Shërbimit Kombëtar amerikan të Parqeve. Atje vizitorët mund të krijojnë një ide më të mirë se si ishte jeta e përditshme e shpikësit më të madh të Amerikës. Vizitori i parqeve kombëtare Mikah Meyer i cili është në një mision për të vizituar më shumë se 400 vendet të mirëmbajtura nga Shërbimit Kombëtar i Parqeve ishte aty dhe ndau disa nga përshtypjet e tij me Zërin e Amerikës.

Thomas Alva Edison konsiderohet shpikësi më i madh i Amerikës.

Ai njihet për shpikjen e llambës elektrike në vitin 1879. Por ai shpiku ose përmirësoi më shumë se një mijë produkte të tjera.

I preferuari i tij, thonë historianët, ishte gramafoni, pajisja e parë që mund të luante muzikë.

Ky regjistrim i vitit 1888 besohet të jetë një nga më të hershmit që ekziston i zërit të Edisonit.

Ai ishte gjithashtu një nga shpikësit e parë të kameras.

“Gjendem në Parkun Historik Kombëtar Thomas Edison në Nju Xhersi, ku pas meje ndodhet një laborator tre-katësh ku janë prodhuar disa nga shpikjet më të famshme të Edisonit”.

Vizitori i parqeve kombëtare Mikah Meyer kaloi një ditë i zhytur në historinë e Edisonit, në shtëpinë dhe laboratorin e shkencëtarit.

“Është një vend i përshtatshëm për të bërë një video me telefon sepse, po të mos ishte për shpikjet e Edisonit, ky telefon dhe energjia që e karikon atë nuk do ekzistonin” thotë ai.

Pjesa më e madhe e vendit është ruajtur si më parë...

“Ai kishte këtë bibliotekë të mahnitshme ku mbante shënimet e tij, dhe ngjitur ndodhet fabrika. Çdo gjë ishte këtu, në mënyrë që projektimet, ndërtimet, dhe transporti të bëhej nga shtëpia e tij”.

Me 400 mijë objekte dhe mbi pesë milionë fletë dokumentash, vendi duket pak a shumë si ishte kur Edisoni punonte këtu.

Gjithashtu në këtë vend ndodhet “Black Maria”, që konsiderohet të jetë ndërtesa e parë në botë e ndërtuar vetëm për prodhimin e filmave.

Përpjekjet e hershme të Edisonit në prodhimin e filmave bënë të mundur arritjet e mëdha në prodhimin e filmave... dhe gjithashtu bënë të mundur krijimin e çdo forme të medias dixhitale që është pjesë e pandarë e kulturës moderne në ditët e sotme.

XS
SM
MD
LG