Lidhje

Austri, Norbert Hofer pranon humbjen


fituesi Alexander Van der Bellen (majtas) dhe Norbert Hofer (djathtas)

Kandidati i së djathtës në Austri Norbert Hofer pranoi humbjen në zgjedhjet presidenciale të së dielës, pak pasi që sondazhet treguan se rivali i tij Alexander Van der Bellen,shënoi fitore.

Rezultatet zyrtare priten më vonë gjatë së dielës ose të hënën në mëngjes, por sondazhet që u publikuan nga televizioni publik, ORF, treguan se Van der Bellen ka fituar 53.6 për qind të votave.

Menaxheri i fushatës së zotit Hofer, Herbert Kickl, tha se sistemi ja doli mbanë sërish të bllokojë dhe të shmangë rinovimin.

Austriakët iu drejtuan sot kutive të votimit në përsëritje të procesit zgjedhor të muajit qershor, rezultati i të cilit u anulua për shkak të parregullsive.

Sondazhet fillestare të ditës së sotme tregonin për një përparësi të ngushtë të pretendentit të së djathtës, Norbert Hofer, i cili si kandidat i Partisë së Lirisë, zoti Hofer pati marrë pozicione të forta anti-emigracion, si dhe pati bërë thirrje fillimisht për një dalje të Austrisë nga Bashkimi Evropian, ku u anëtarësua në vitin 1994. Pas vendimit të Britanisë për të dalë nga BE-ja, zoti Hofer e zbuti retorikën e tij kundër bashkimit, gjë që e konfirmoi edhe sot pasi votoi në qytetin e tij të lindjes, Pinkafeld.

Rivali kryesor i tij, Alexander Van Der Bellen, i Partisë së Gjelbërt, fitoi ngushtë në zgjedhjet e qershorit, rezultatin e të cilave Gjykata e Lartë austriake vendosi ta anulojë për shkak të parregullsive në procesin e numërimit të votave.

Fushata elektorale në Austri ka qenë e gjatë dhe e ngarkuar me tensione. Shtypi lokal e përshkruan madje si “zgjedhjet e urrejtjes”, për shkak të irritimit në radhët e mbështetësve të djathtë të zotit Hofer, dhe të frikës dhe zemërimit të kundërshtarëve të tij të majtë që e kanë quajtur ndonjëherë edhe nazist, për shkak të qëndrimeve të tij anti-emigracion.

XS
SM
MD
LG