Lidhje

Kosovë: Drenasi në balotazh


Zgjedhjet në Drenas

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, komuna e Drenasit në Kosovën qendrore do të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve, meqë asnjëri nga kandidatët nuk arriti numrin e mjaftueshëm të votave për potin e kryetarit të kësaj komune.

Partia Demokratike do të përballet me balotazh me Nismën për Kosovën, e cila u themelua në fillim të vitit 2014 pas ndarjes nga kjo parti të disa prej ish udhëheqësve të saj.

Kjo është hera e parë që Partia Demokratike nuk i fitoi zgjedhjet në raundin e parë në këtë komunë që bashkë më atë të Skenderajt në Kosovën qendrore vlerësoheshin fortesa të saj.

Zgjedhjet e së dielës ishin të parat pas ndryshimeve në kreun e Partisë Demokratike pas zgjedhjes se Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës.

Si asnjëherë më parë udhëheqës të partive politike qenë angazhuar në fushatën për kryetarin e ardhshëm të kësaj komune, duke premtuar edhe investime të mëdha.

Vëzhguesit në Kosovë thonë se rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Drenas është matës i forcave politike në Kosovë, para zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, por edhe një sprovë për zgjedhjet e përgjithshme që sipas kalendarit duhet të mbahen më 2018, por që nuk përjashtohet mundësia të mbahen shumë më herët.

Gjashtë kandidatë konkurruan për të marrë postin e kryetarit të kësaj komune, i cili mbeti bosh pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Nexhat Demaku, i cili dha dorëheqje nga posti pas dënimit me tre vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

XS
SM
MD
LG