Lidhje

Rusia i vë veton armëpushimit në Aleppo

  • Richard Green

Rusia përdori veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të bllokuar një armëpushim 7-ditor në qytetin sirian Aleppo. Marrëveshja e armëpushimit synonte lejimin e ndihmave humanitare drejt lagjeve të rrethuara të qytetit.

“Siç e dimë, këto lloj pauzash janë shfrytëzuar nga luftëtarët për përforcuar municionin dhe pozicionet e tyre, gjë që vetëm zgjat vuatjet e civilëve. Federata Ruse nuk mundet ta mbështesë këtë draft rezolutë të trojkës humanitare.”

Ambasadori rus gjithashtu u ankua se hartuesve të rezolutës, Egjiptit, Zelandës së Re dhe Spanjës, u ishte bërë presion për një votim të shpejtë nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca.

Projekt-rezoluta bënte thirrje fillimisht për një pauzë humanitare 10-ditore, por autorët e reduktuan në shtatë ditë, me shpresën se do të merrnin kështu edhe mbështetjen ruse.

Kina mori anën e Rusisë duke vendosur edhe ajo veton.

“Më lejoni t’ju them se çfarë kanë arritur sot Rusia dhe Kina duke i vendosur veton rezolutës dhe duke lejuar vazhdimin e bombardimit të Aleppos. Ata kanë bllokuar shpërndarjen e ilaçeve bazë për njerëz që do të humbasin jetën pa to. Ata kanë bllokuar evakuimin e të sëmurëve që nuk kanë asnjë shans të mbijetojnë në spitalet dhe klinikat e bombarduara të Aleppos. Ata kanë bllokuar furnizimin me ushqime për civilë që mund të vdesin nga uria dhe për fëmijë që do të vuajnë pasoja afatgjata nga kequshqimi. Ata u kanë veton jetëve të sirianëve të pafajshëm. Ky veprim është një dënim me vdekje për burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm.”

Ushtria siriane, e mbështetur nga Rusia, ka intensifikuar në nëntor ofensivën e saj ndaj pjesës rebele të Aleppos dhe ka marrë pothuajse gjysmën e kësaj zone. Mendohet se rreth 250 mijë civilë mbeten të bllokuar në pjesën lindore të qytetit.

Siria dhe aleatja e saj Rusia e kanë përshkruar vazhdimisht luftën kundër rebelëve në Aleppo si një betejë kundër terroristëve, pavarësisht popullsisë së madhe civile që është e frikësuar të largohet.

Për shkak të numrit të madh të civilëve në qytet, qeveritë perëndimore dhe OKB-ja e kanë përkufizuar situatën si një krizë humanitare.

XS
SM
MD
LG