Lidhje

NATO fillon një takim dy ditor në Bruksel

  • Lisa Bryant

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në NATO përballen me një tematikë të ngjeshur ndërsa takohen sot në Bruksel me rastin e fundit të vitit. Por në një kohë kur aleanca përballet me sfida të panumërta, çështja më e madhe nuk është në axhendën zyrtare: Cili do të jetë kursi i NATO-s kur Donald Trump të marrë drejtimin e Shteteve të Bashkuara ?

“Zoti Trump do të jetë në mendjen e të gjithëve”, tha analisti Sven Biscop me Institutin Egmon në Bruksel, para takimit dy ditor të aleancës.

Komentet kontradiktore të presidentit të zgjedhur mbi aleancën e Atlantikut dhe thirrjet apo postimet konfliktuale në twitter, përfshi edhe një telefonatë me presidenten e Taivanit Tsai Ing-Wen që acaroi Pekinin, kanë ngjallur shqetësime në Evropë, thonë analistët, ndërkohë që zgjedhjet e tij për poste të rëndësishme sigurie kanë nxitur reagime të përzjera.

Bashkëpunimi NATO-SHBA

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg nuk i trajtoi drejtpërdrejt këto pikëpyetje në konferencën e shtypit të hënën, duke u mjaftuar me shprehjen e vullnetit “ për të bashkëpunuar me zotin Trump dhe ekipin e tij”.

Më herët, zoti Stoltenbeg shprehu besimin se angazhimi i Uashingtonit ndaj aleancës nuk do të ndryshojë, pavarësisht pohimeve të zotit Trump gjatë fushatës se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbrojnë automatikishtvendet anëtare në NATO të cilat nuk paguajnë detyrimet e tyre.

“Evropianët do të donin të theksonin angazhimin e tyre ndaj mbrojtjes së Evropës dhe detyrimin e Amerikës ndaj nenit 5 të aleancës (ku theksohet mbrojtja kolektive)” thotë Andrew Dorman ekspert për çështjet e NATO-s në institutin e politikave Chatham House në Londër.

Bisedimet e kësaj jave po ashtu do të shënojnë takimin e fundit të rëndësishëm të NATO-s gjatë presidencës së zotit Barack Obama, dhe lamtumirën për kryediplomatin amerikan John Kerry.

“Evropianët do të përpiqen të krijojnë një ide se si do të jetë situata gjatë administratës së zotit Trump”, thotë zoti Dorman. “Dhe nuk është e qartë nëse zoti Kerry do të jetë në gjendje t’u ofrojë atyre njohuri të mjaftueshme. Ndoshta edhe ai po hamnendëson sikurse të tjerët.”

Kërcënimi për detyrimet financiare ndaj NATO-s

Ky takim vjen pak ditë pasi Bashkimi Evropian shpalosi një plan të ri ambicioz për financimin e mbrojtjes dhe kërkimeve, përfshi një fond vjetor investimesh prej 5.36 miliard dollarësh.

Ndërsa ka vite që Uashingtoni i bën thirrje aleancës që të shtojë shpenzimet e mbrojtjes, komentet e ashpra nga zoti Trump duket se kanë goditur në shenjë, thonë analistët. Shtetet e Bashkuara mbulojnë rreth 70 përqind të buxhetit të aleancës. Vetëm katër vende anëtare, Britania, Estonia, Greqia dhe Polonia, përmbushin angazhimet e aleancës duke përcaktuar të paktën dy përqind të prodhimit të brendshëm për mbrojtjen.

Javën e kaluar, presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite tha se vendi i saj do të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s në vitin 2018, ndërsa i bëri thirrje zotit Trump që të zbatojë angazhimet ndaj aleancës.

“Është vërtet interesante se si zoti Trump po i nxit evropianët të reagojnë”, thotë Alexandra de Hoop Scheefer, me Fondin Gjerman Marshall. Ajo drejton zyrën e Parisit të këtij fondi. “Kur takohesh me komandantët ushtarak në Francë, ata shprehen se duan të provojnë se zoti Trump e ka gabim. Ky është lajtmotivi i asaj që dëgjojmë.”

Brexit, Irani dhe Rusia

Brexit tani po i jep një tjetër shtytje bashkëpunimit më të ngushtë ushtarak me vendeve të bllokut evropian nën udhëheqjen e Francës dhe Gjermanisë.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë pengesë për krijimin e selisë qendrore operative të Bashkimit Evropian”, thotë analisti Dorman me Chatham House. “Tani kjo do të realizohet.”

Ndërkohë që zgjedhja nga zoti Trump e gjeneralit në pension James Matthis për postin e shefit të mbrojtjes është përshëndetur nga evropianët, vlerësimet e tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe kërcënimi për prishjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin kanë zemëruar shumë aleatë.

“Për Iranin, aleantët evropian do të kishin mospatime të forta me zotin Trump nëse ai përpiqet të prishë marrëveshjen bërthamore”, thotë zoti Biscop. “Për Evropianët, normalizimi i marrëdhënieve me Iranin është krejtësisht i pakundërshtueshëm”, thotë ai. “Nuk ka asnjë dëshirë për tu rikthyer mbrapsht”.

Rusia është më komplekse. Ndërsa evropianët mbajnë sanksionet dhe thirrjet e ashpra ndaj Moskës për çëshjte si Ukraina dhe Siria, kandidati konservator francez për president Francois Fillon është mes atyre që kërkon politika më të buta ndaj Moskës.

“Mendoj se shqetësimi tani në Evropë është se ku është vija e kuqe e zotit Trump kur flitet për Rusinë. A është i gatëshëm ai që të zyrtarizojë aneksimin e Krimesë? Apo të gjejë një zgjidhje me Putinin për Irakun dhe Sirinë ?”, thotë analistja Hoop Scheefer.

Këto pyetje nuk kanë gjasa që të shuhen, ndërsa zonja de Hoop Scheffer parashikon se Moska do të tregojë muskujt ushtarakë në javët para inagurimit të presidentit Trump me 21 janar. “Putini do ta testojë zotin Trump për të parë reagimin e tij,” shprehet analistja.

XS
SM
MD
LG