Lidhje

Ligjet në Venecia, PD “kanë gabime thelbësore”


Në Shqipëri Partia Demokratike këmbënguli sot se gabimet në variantet e përkthimit të Kushtetutës dhe të Ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve që u janë dërguar Komisionit të Venecias kanë të bëjnë me aspekte të rëndësishme. “Gabimet janë në dispozita thelbësore dhe gabimet janë thelbësore, janë gabime të cilat e çojnë në drejtim të gabuar këdo që interpreton me qëllimin e vetëm që të merret një opinion, i cili nuk vë në pah problemet që ka ky ligj”, deklaroi deputeti Oerd Bylkbashi I cili përfaqëson opozitën dhe në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Zoti Bylykbashi si dhe eksperti ligjor i Partisë demokratike Gazmend Dibra, sollën shembujt konkret të gabimeve apo manipulimeve që sipas tyre janë bërë me përkthimin, si të tekstit të Kushtetutës ashtu dhe të vetë ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tyre “gabimet me deformime të rënda në tekst kanë ndodhur vetëm tek dispozitat që kanë lidhje thelbësore me çështjen. Ndërkohë që, të njëjtat gabime nuk janë vërejtur tek dispozitat e tjera të ligjit, pra që janë irrelevante ne zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje”, u shprehën përfaqësuesit e opozitës.

Gjykata Kushtetuese dërgoi fillimisht në Komisionin e Venecias tekstin e ligjit të përkthyer nga misioni europian i asistencës ligjore EURALIUS, i cili së bashku me misionin amerikan OPDAT, janë angazhuar në mënyrë direkte në procesin e Reformës. Javën e shkuar pas denoncimit të Partisë Demokratike, Gjykata ridërgoi pranë Komisionit të Venecias, një variant të rishikuar të përkthimit, ndërsa kryetari i saj, Bashkim Dedja, u shpreh për mediat se gabimet sipas tij, nuk ndryshonin thelbin e ligjit.

Lidhur me debatin për gabimet në përkthimin e Kushtetutës dhe Ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve, reagoi sot në mbrëmje dhe Komisioni europian, përmes zëdhënëses Maja Kocijançiç. “Transmetimi i përkthimeve zyrtare të çdo dokumenti është përgjegjësi vetëm e atyre institucioneve shqiptare që i paraqesin ato para Komisionit të Venecias”, duke shtuar se “Bashkimi europian dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias. Shqiptarët – vijon më tej deklarata - mbështesin në shumicë dërrmuese reformën tërësore të drejtësisë që përfshin procesin e rivlerësimit . Veprimet apo deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, nënvizoi zëdhënësja.

XS
SM
MD
LG