Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të martën se burka, veshja myslimane që i mbulon plotësisht gratë, duhet të ndalohet, si mënyrë për të mos lejuar krijimin e shoqërive paralele në Gjermani.
Zonja Merkel, e sapo rizgjedhur si kryetare e partisë së saj Kristian Demokrate (CDU), tha në konferencën vjetore të partisë se burka duhet të ndalohet, kudo që kjo të jetë ligjërisht e mundur, duke përfshirë shkollat, gjykatat dhe ndërtesa të tjera publike.
"Në komunikimin mes njerëzve, që është diçka thelbësore për të jetuar së bashku, ne duhet ta tregojmë fytyrën," tha ajo.
Është e paqartë nëse kushtetuta gjermane do të lejonte ndalimin e burkës, por Kancelarja Merkel theksoi rëndësinë e integrimit të porsaardhurve, dhe kjo përfshin moslejimin e mbulimit të plotë të fytyrës.
Komentet e zonjës Merkel vijnë pas rënies së miratimit të saj në publik për shkak të vendimit për të pranuar rreth një milion refugjatë në Gjermani gjatë krizës së emigrantëve në Evropë.