Lidhje

Greqia dorëzon “Dosjen Balili”


Në Shqipëri autoritet greke kanë dërguar zyrtarisht aktet e dosjes hetimore që implikon Klement Balilin, ish Drejtor i Drejtorisë rajonale të Transporteve në Sarandë, si një prej krerëve të një organizata të fuqishme të trafikut të drogës, i cilësuar nga mediat greke si Eskobari i Ballkanit. Dosja ka mbërritur në Shqipëri më 14 nëntor të këtij viti, siç shpjegoi sot Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, dhe “brenda ditës ju përcoll Prokurorisë. Pas dy ditësh, një kopje e dosjes i është rithyer Ministrisë për t’u përkthyer zyrtarisht, “siç e parashikon ligji”, sqaron më tej ministri Manjani. Dosja ka qenë mjaft voluminoze, dhe për këtë ministria ka angazhuar 15 përkthyes dhe dje ajo i është dërguar zyrtarisht e përkthyer Prokurorisë. Ndaj Kement Balilit është në fuqi një urdhër arresti ndërkombëtar, ndërkohë që edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka hapur një procedim penal ndaj tij.

Emri i Balilit doli gjatë një hetimi i cili u finalizua në fillim të muajit maj me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore. Në këtë operacion u përfshi dhe policia shqiptare si dhe autoritetet e disa vendeve të Bashkimit europian, ku dyshohet të ketë shtrirë rrjetin e trafikut organizata, një prej krerëve të së cilës dyshohet të jetë Klement Balili. Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që Balili vetë mundi të shpëtojë. Fillimisht ai u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Mes institucioneve shqiptare pati një ping pong të gjatë të hedhjes së përgjegjësisë, me policinë e cila deklaroi se kishte kërkuar urdhër arresti nga prokuroria, ndërkohë që kjo e fundit, kishte shpjeguar se nuk mund të vepronte përsa kohë nga hetimi nuk kishin dalë prova për veprimtari të paligjshme në Shqipëri, e se për këtë arsye ishin kërkuar materiale nga pala greke.

Ngjarja u vesh më dyshime të forta edhe për shkak të dyshimeve se Balili gëzonte lidhje dhe mbështetje të forta politike. CNN grek në atë kohë hyri në polemika me ambasadën shqiptare në Athinë pasi botoi një shkrim në të cilin duke iu referuar burimeve të autoriteteve greke, theksonte se oficerë të policisë shqiptare u kishin deklaruar partnerëve greke gjatë një takimi sekret në Shqipëri se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë.

Ndonëse me disa aktivitete biznesi, Kelement Balili u emërua në krye të sektorit të Transportit në Sarandë në vitin 2014. Që në atë kohë opozita denoncoi faktin se kishte qenë më parë i arrestuar. Njëri nga nipat e Balilit u zgjodh kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, në zgjedhjet e fundit vendore, nën siglën e LSI-së, ndërsa një tjetër i afërm i ngushtë ka qenë gjithashtu koordinar i LSI-së po në Jug të vendit. Vëllezërit Balili kanë aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa vjet inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e vjetshme, në gusht, morën pjesë dhe zyrtarë të lartë, kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministri i atëhershëm i Ekonomisë dhe Turizmit, Arben Ahmetaj si dhe deputeti socialist i zonës Koço Kokëdhima.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG