Presidenti i zgjedhur Donald Trump ritheksoi dje vizionin e tij për një politikë të jashtme amerikane jo-ndërhyrëse, duke përsëritur ato që tha gjatë fushatës elektorale, se ai nuk dëshironte që forcat amerikane të luftonin, siç u shpreh ai, “në zona që ne nuk duhet të përfshihemi.” Duke folur gjatë një tubimi falenderimi për mbështetësit e tij në Karolinën e Veriut, zoti Trump tha se fokusi i tij do të jetë mundja e terroristëve, përfshi këtu grupin e vetquajtur Shteti Islamik.
“Unë do ta autorizoj përdorimin e forcës ushtarake vetëm kur bëhet fjalë për interesat jetike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Nuk duam një ushtri të dobësuar, të shpërndarë kudo në botë, në zona ku nuk duhet të ishim të angazhuar. Tani e tutje, Amerika do të jetë e para. Nuk do të nxitojmë për të përmbysur regjime të huaja, për të cilat nuk dimë asgjë, ku nuk duhet të jemi të përfshirë.”
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund asaj që ai e quajti “cikël shkatërrimtar ndërhyrjesh dhe kaosi”.
Zoti Trump premtoi të forcojë ushtrinë, por tha se qëllimi do të jetë për të treguar forcë dhe jo agresion.
Gjatë fushatës elektorale, ai kishte përmendur disa herë se NATO dhe aleatët e tjerë nuk po mbajnë barrën financiare që u takon, dje zoti Trump u shpreh se ai kërkon të forcojë miqësitë e vjetëra dhe krijojë miqësi të reja.
Në të njëtin tubim, zoti Trump njoftoi zyrtarisht se ka zgjedhur gjeneralin në pension James Mattis për postin e sekretarit të mbrojtjes.
Zoti Mattis ka shërbyer në krye të Komandës Qendrore Amerikane që drejton operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme si dhe ka qënë Komandant Suprem i NATO-s.
Gjenerali në pension do të ketë nevojë për një autorizim të posaçëm nga Kongresi për t’u konfirmuar në krye të departamentit të mbrojtjes. Përndryshe, ai nuk mund të shërrbejë si Sekretar i Mbrojtjes pasi ligji kërkon një pauzë shtatë vjeçare për ish ushtarakët që të sherbejnë në këtë post. Ai ka më pak se katër vjet që ka dalë në pension.
Pizzagate
Ekipi i zotit Trump për tranzicionin ndërpreu lidhjet të martën me Michael G. Flynn, i biri i të emëruarit nga presidenti i zgjedhur për të qenë këshilltar i sigurisë kombëtare, Michael G. Flynn.
I riu Flynn kishte një rol këshilltari për të atin dhe një adresë zyrtare email-i me ekipin e tranzicionit, megjithëse përmasat e angazhimit të tij me administratën e re nuk janë ende të qarta.
Ai u kritikua ashpër për përhapjen e lajmeve të rreme, përfshirë përhapjen e një konspiracioni të ashtuquajtur Pizzagate që pretendonte se një piceri në Uashington DC ishte e përfshirë në një rrjet pedofilie që kishte lidhje me ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.
Një person i armatosur u arrestua të djelën pas të shtënave brenda picerisë. Policia tha se ai u kishte thënë se kishte udhëtuar nga shtëpia e tij në Karolinën e Veriut për ta hetuar vetë konspiracionin.
Pas arrestimit, Flynn shkroi përsëri në Tweeter rreth picerisë Pizzagate.
"Derisa #Pizzagate provohet që është fallco, lajmi mbetet i vërtetë," shkroi ai.
Edhe Gjenerali Flynn vetë ka mbështetur pretendime të rreme, përfshi disa që kanë të bëjnë me zonjën Clinton.
Po të martën, zoti Trump u shfaq në lobin e ndërtesës së zyrave të tij në Nju Jork me Masayoshi Son, kreu i gjigandit japonez të telekomunikacioneve SoftBank, i cili njoftoi planet për të investuar 50 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara me synimin për të krijuar 50 mijë vende pune.
SoftBank krijoi një fond në tetor së bashku me Arabinë Saudite dhe të tjerë për të investuar deri në 100 miliardë dollarë në kompanitë e teknologjisë. Nisma prej 50 miliardë dollarësh e njoftuar të hënën është pjesë e këtij fondi. Nuk është caktuar një afat kohor për investimet që do të fokusohen në kompanitë e reja.
Zoti Trump la të kuptohej se ishte merita e tij për premtimin e zotit Son duke thënë në Twitter se ky investim nuk do të kishte ndodhur nëse ai nuk do të kishte fituar zgjedhjet muajin e kaluar.
SoftBank ka në pronësi kompaninë celulare Sprint, e cila dy vjet më parë kishte propozuar të bashkohej me TMobile por një gjë e tillë u refuzua nga regullatorët bazuar në argumentat kundër trusteve. Analistët besojnë se një shkrirje e tillë do të jetë më i lehtë nën drejtimin e zotit Trump, i cili është mbështetës i pakësimit të rregulloreve që thotë se dëmtojnë bizneset.
Fushata për vende pune
Zoti Trump, në rrugën e tij të pazakontë drejt Shtëpisë së Bardhë, bëri fushatë për të sjellë më shumë vende pune në Amerikë, veçanërisht në rajonet e goditura nga recesioni dhe globalizimi.
Marrëveshja me kompaninë SoftBank është e dyta që zoti Trump ka përdorur për të theksuar se po mban premtimin e votuesve. Javën e kaluar, ai njoftoi se kompania Carrier Manufacturing Corporation do të mbante 800 vende pune në Indiana në vend që t’i dërgonte ato në Meksikë. Kompania Carrier ende ka në plan të dërgojë qindra vende pune atje nga një tjetër uzinë në Indiana.
Ai shkroi gjithashtu në Twitter se kërkon të anulojë një porosi pune për një avion të ri Air Force One, avioni me të cilin fluturon presidenti amerikan përreth botës. Qeveria ka kontraktuar kompaninë Boeing për të ndërtuar të paktën dy avionë të rinj që do të fillonin shërbimin në vitin 2024. Kostoja totale pritej fillimisht të ishte 3 miliardë dollarë.
Zoti Trump shkruajti se "kostoja është jashtë kontrollit, më shumë se 4 miliardë dollarë."
Kompania Boeing u përgjigj ndaj kritikave të zotit Trump përmes një deklarate ku thuhet se në këtë fazë të procesit është përfshirë një shumë shumë më e vogël fondesh.
"Ne jemi aktualisht në një kontratë prej 170 milionë dollarësh për të ndihmuar në përcaktimin e aftësive të këtyre avionëve kompleksë ushtarakë që u shërbejnë kërkesave unike të presidentit të Shteteve të Bashkuara," thuhet në deklaratë.
Deklarata nga gjigandi i hapësirës sugjeron se projekti është thjesht në një nga disa fazat që duhen kryer gjatë procesit të zhvillimit dhe të ndërtimit. "Ne presim të punojmë me Forcave Ajrore Amerikane në fazat e mëvonshme të programit, për të ofruar avionët më të mirë për presidentin në vlerën më të mirë për tatimpaguesit amerikane."