Lidhje

Shtëpia e Bardhë urdhëron hetimin e ndërhyrjes kibernetike ruse


Shtëpia e Bardhë njoftoi dje se Presidenti amerikan Barack Obama ka urdhëruar agjensitë e zbulimit të bëjnë një inspektim të plotë të sulmeve kibernetike gjatë periudhës së fushatës elektorale, përfshirë vjedhjen e emaileve që tronditën fushatën presidenciale dhe ngritën shqetësime të reja për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Duke cituar burime të administratës Obama, gazetat “The New York Times” dhe “The Washington Post” thonë se CIA beson se Rusia ndërhyri për të ndihmuar fitoren e zotit Trump dhe se autoritetet amerikane kanë identifikuar tashmë individë rusë që kanë vjedhur email-et e dorëzuara Wikileaks, me qëllimin për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Zëvendës Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz, tha dje se do të studiohet në thellësi aktiviteti i shtuar kibernetik me qëllime keqdashëse.

“Komuniteti i zbulimit tha me vetëbesim në muajin tetor se ky aktivitet është drejtuar nga nivelet më të larta të qeverisë ruse. E kemi bërë të qartë përkushtimin tonë për integritetin e zgjedhjeve dhe ky raport do të hulumtojë më thellë aktivitetin keqdashës kibernetik gjatë periudhës zgjedhore, do të shqyrtojë aftësitë tona mbrojtëse dhe do të përmbledhë mësimet e nxjerra për t’ua paraqitur anëtarëve të Kongresit dhe aktorëve të tjerë.”

Zoti Schultz tha se Presidenti Obama e shikon këtë si një mënyrë për të përmirësuar masat mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara ndaj sulmeve kibernetike dhe se nuk synon të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e fitores së zotit Trump.

“Dua ta bëj të qartë se kjo nuk është një përpjekje për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve. E kemi pranuar fitoren e kandidatit që nuk mbështeti presidenti, i cili po bën ç’është e mundur për një transferim të pushtetit pa probleme. Pra, nuk po diskutojmë rezultatin e zgjedhjeve, por marrim seriozisht përgjegjësinë tonë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.”

Ekipi i tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump qarkulloi një deklaratë ku thuhet se “zgjedhjet kanë mbaruar tashmë duke sjellë një ndër fitoret më të mëdha në histori. Është koha të përparojmë për ta bërë Amerikën sërish madhështore.”

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë u bë ndërsa është rritur presioni nga anëtarë demokratë dhe republikanë të Kongresit për një hetim publik të plotë të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane. Sipas gazetës “The Washington Post”, Shtëpia e Bardhë ka qenë prej muajsh në dijeni të ndërhyrjes ruse, por nuk ka ditur se si të reagonte përpara zgjedhjeve pa rritur tensionet me Moskën dhe pa u akuzuar se po vepronte për të mbështetur fushatën Clinton. Sipas gazetës, ngurrimi i administratës Obama për të reaguar ndaj Rusisë irritoi anëtarët demokratë të Kongresit dhe ekipin e fushatës Clinton.

XS
SM
MD
LG