Lidhje

Imigracioni, faktor në fushatën zgjedhore në Itali


Italia po përgatitet për zgjedhjet të reja pas dorëheqjes së kryeministrit Matteo Renzi pas votës JO në referendumin e së dielës mbi ndryshimet kushtetuese. Ndërsa faktorët ekonomikë dhe politikë çuan votuesit të ndëshkonin zotin Renzi, analistët thonë se kriza e imigrantëve në Itali ka luajtur gjithashtu një rol, një çështje që ka të ngjarë të shfaqet në fushatat e ardhshme zgjedhore.

Më shumë se 176 mijë imigrantë strehohen në qendra të pritjes në mbarë Italinë.

Para humbjes së tij në referendumin e së dielës, kryeministri në largim Matteo Renzi kërcënoi t’i vinte veton buxhetit të BE-së në përpjekje për ta detyruar Evropën të ndante barrën e Italisë.

“Arena ndërkombëtare është në kaos dhe Evropa po vuan. Vendet që u pranuan së fundmi në projektin evropian janë ato që ëndërrojnë për të ndërtuar mure.”

Thirrja ishte pak e vonuar thotë analisti i Grupit Eurasia, Riccardo Fabiani.

“Shumë njerëz mendojnë se ai ishte shumë i butë ndaj Evropës dhe veçanërisht Evropës veriore. Kishte një perceptim në Itali se qeveria duhet të ishte më e ashpër me Gjermaninë dhe gjithashtu me imigrantët.”

Çdo ditë, qindra, e disa here mijëra imigrantë të tjerë vijnë në brigjet jugore të Italisë. Shumica janë nga Libia – ku kaosi politik i lejon trafikantët të përfitojnë nga dëshpërimi i njerëzve për t’u larguar.

Evropa mbështet njohjen ndërkombëtare të qeverisë së bashkuar kombëtare libiane. Por kjo mbështetje ka dështuar të ul fluksin e imigrantëve.

“Mbështetja për qeverinë e unitetit kombëtar, e cila është e dobët, e ndarë dhe ka qënë shumë e pa efektshme, është në kundërshtim me idenë për të patur një marrëveshje me një autoritet të fuqishëm, një qeveri të fuqishme në Libi, e cila do të ishte në gjendje të ndalte rrjedhën e imigrantëve.”

Ardhja e dimrit nuk po i spraps imigrantët. Ferry Schippers me “Mjekët Pa Kufi” foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it nga anija "Aquarius," e cila operon përkrah organizatës së bamirësisë "SOS Mediterranean."

“Deti është i trazuar, ka shumë shira dhe bën ftohtë dhe njerëzit vazhdojnë të vijnë. Po bëjmë një punë që nuk na takon ne. Dua të them se zgjidhja duhet të vinte nga palë të tjera. Ne jemi këtu, pikërisht pasi nuk po bëhet sa duhet.”

Organizata “Mjekët Pa Kufi” thotë se të paktën 4,960 njerëz kanë vdekur këtë vit duke kaluar detin. Italia dhe Evropa ende nuk ka gjetur një zgjidhje.

XS
SM
MD
LG