Lidhje

Shtohet lista e kandidatëve për postin e Sekretarit të Shtetit


Sipas dy zyrtarëve të ekipit të tranzicionit, presidenti i kompanisë Exxon Mobile, Rex Tillerson ka dalë në krye të listës së kandidatëve për postin e Sekretarit të Shtetit.

Tillerson i bashkohet ish kritikut të zotit Trump dhe kandidatit presidencial të vitit 2012 Mitt Romney si pretendentët kryesor për postin më të lartë diplomatik të vendit. Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudolph Giuliani u tërhoq nga konsiderata për postin të premten duke cituar plane për t’u kthyer në sektorin privat.

Tillerson, shefi ekzekutiv i një prej kompanive më të mëdha në botë, ka përvojë ndërkombëtare biznesi, përfshi Rusinë. Përfshirja e tij me Rusinë dhe lidhjet personale me presidentin Vladimir Putin, ka të ngjarë të tërheq një shqyrtim të hollësishëm gjatë seancës së konfirmimit në senat.

Tillerson u takua privatisht me presidentin e zgjedhur të martën, pas rekomandimeve nga ish Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice dhe Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gates. Një zyrtar i ekipit të tranzicionit tha se zoti Trump është i impresionuar nga stili dhe eksperienca e zotit Tillerson.

Pretendentë të tjerë për postin e sekretarit të Shtetit përfshijnë ish ambasadorin në Kombet e Bashkuara John Bolton, ish kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Bob Corker, ish kreu i kompanisë Ford Alan Mulally dhe admiral në pension I marinës James Stavridis.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG