Lidhje

38 të vrarë nga shpërthimet në Stamboll, ditë zie në Turqi


Një grup militant kurd mori përgjegjësinë për shpërthimet me bombë në Stamboll që vranë të paktën 38 persona dhe plagosën më shumë se 150 të tjerë. Përgjegjësinë e mori grupi Shqiponjat për Lirinë e Kurdistanit, TAK që ka lidhje me Partinë Punëtore të Kurdistanit që është shpallur organizat e paligjshme nga autoritetet turke. Shpërthimet tronditën një stadium futbolli dje në mbrëmje. Dëshmitarët dhe autoritetet thanë se sulmet, njëri me makinë bombë dhe tjetri një shpërthim vetëvrasës, kishin në shënjestër forcat e sigurisë, dy orë pas përfundimit të një ndeshjeje futbolli.

Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu tha se shpërthimet vranë 38 persona dhe lanë të plagosur më shumë se 150 të tjerë. Ai tha se ne mesin e të vrarëve ishin 30 policë, shtatë civilë dhe një person i paidentifikuar.

Autoritetet thonë se shpërthimet kishin në shënjestër një autobus që transportonte policë nga stadiumi i klubit futbollistik të Beshiktashit, “Vodafone Arena” në brigjet e Bosforit.

Ndërkohë qindra njerëz sot marshuan drejt stadiumit për të dënuar dy shpërthimet dhe për të shprehur solidaritetin e tyre me viktimat.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësisë për sulmin, por Zëvendëskryeministri turk Numan Kurtulmus tha se ka të ngjarë që Partia Punëtore e Kurdistanit, PKK, të jetë përgjegjëse për sulmin. Ai tha se 13 persona janë arrestuar deri më tani në lidhje me bombardimet.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ka shtyrë një udhëtim në Kazakistan, tha në një deklaratë se sulmi kishte në shënjestër policinë dhe synonte "shkaktimin e një numri maksimal viktimash." Ai i quajti shpërthimet akte të terrorizmit dhe u zotua për vazhdimin e luftës kundër grupeve terroriste.

“Njerëzit tanë nuk duhet të kenë asnjë dyshim se ne do të vazhdojmë luftën kundër terrorit deri në fund. Ata nuk mund të na frikësojnë përmes këtyre suylmeve, ne nuk do të heqim dorë nga beteja kundër terrorizmit."

Kryeministri Binali Yildirim ka urdhëruar uljen e flamujve në gjysëm-shtizë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve, Ned Price tha në një deklaratë se "Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë sulmin terrorist".

Organizata e Kombeve të Bashkuara gjithashtu lëshoi një deklaratë, duke thënë se Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon "shpreson që autorët e këtij akti terrorist do të identifikohen shpejt dhe do të sillen para drejtësisë."

Grupi militant, PKK në dhjetëra vitet fundit po zhvillon një luftë kundër qeverisë turke për krijimin e një vendi autonom në Turqinë juglindore.

PKK njihet për sulme periodike ndaj forcave turke të sigurisë. Por ndryshe nga grupit Shteti Islamik, i cili zakonisht ka në shënjestër civilët, militantët kurdë janë të njohur për shmangien e viktimave në mesin e popullatës civile në Turqi.

XS
SM
MD
LG