Lidhje

Udhëheqësi opozitar shpall kandidaturën për president të Rusisë


Udhëheqësi opozitar rus, Alexei Navalny, njoftoi sot se do të kandidojë për president i Rusisë në vitin 2018. Nëpërmjet Fondacionit Anti-Korrupsion që ai drejton, zoti Navalny ka denoncuar vazhdimisht praktikat korruptive të njerëzve të Presidentit Putin.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në një faqe të re interneti, zoti Navalny deklaroi se do të hyjë në garë në zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të Rusisë.

“Pas gati një viti do të mbahen zgjedhje presidenciale në vendin tonë. Jam menduar për një kohë të gjatë nëse duhet të marr pjesë. Nuk jam menduar thjesht rreth vështirësisë së madhe në Rusinë moderne për të kandiduar kundër qeverisë aktuale. U mendova nëse kjo do të sillte një përmirësim për të gjithë, për vendin, shoqërinë, kombin, për çdo individ; nëse Rusia do të bëhej më e mirë nga pjesëmarrja ime. Dola në përfundimin se ‘po’. Do të marr pjesë në betejën për postin e presidentit të Rusisë”, u shpreh ai në mesazhin e tij filmik.

Personaliteti më i njohur i opozitës dhe një aktivist kryesor kundër korrupsionit, zotit Navalny është shprehur disa herë se Vladimir Putin dhe rrethi i tij janë fajtorë për marrje rryshfetesh.

Në programin e tij, zoti Navalny deklaron se do të përpiqet për rishpërndarjen e pasurisë, për luftën kundër korrupsionit, për investime më të mëdha në arsim dhe shëndetësi, për decentralizim të politikës, reformim të gjyqësorit dhe tërheqje nga përfshirja në luftëra të huaja.

Vetë zoti Navalny është duke u gjykuar për një çështje mashtrimi, e cila sipas mbështetësve të tij është e motivuar politikisht. Nëse do të gjendet fajtor, atij do t’i ndalohet edhe pjesëmarrja në zgjedhje.

Zoti Navalny drejton Fondacionin Anti-Korrupsion që bën publike pasqyra të detajuara të pasurive personale dhe korrupsionit të zyrtarëve rusë, por ai nuk ka eskperiencë në poste publike.

Në vitin 2013, Alexei Navalny fitoi gati 30% të votës në zgjedhjet për kryebashkiak të Moskës, përballë favoritit të mbështetur nga Presidenti Putin.

XS
SM
MD
LG