Lidhje

Vendet anëtare: Ok me rekomandimin për Shqipërinë

  • Armand Mero

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare ranë dakort me rekomandimin e bërë nga Komisioni europian që hapja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë të bëhet në varësi të zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht të ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisionit europian i është kërkuar gjithashtu të paraqesë një raport për Shqipërinë kur ajo të ketë bërë përparim të mjaftueshëm në këtë drejtim

“Këshilli vëren pozitivisht rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit më Shqipërinë, në varësi të një përparimi të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thekson teksti për Shqipërinë i cili u diskutua sot nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.

Ajo çfarë është për t’u theksuar, lidhet me hapësirën që i lihet Komisionit, për të mos pritur kalendarin për Zgjerimin por që të mund t’i drejtohet vendeve anëtare më parë, nëse vëren përparim. “Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi Shqipërinë, përveç paketës së zgjerimit, dhe do të rimarrë në shqyrtim Shqipërinë kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm”, thekson teksti. Këtë vuri në dukje në konferencën për shtyp në përfundim të takimit dhe ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së.

Clipp “Ka një marrëveshje të qartë. Ne nuk do të kemi nevojë të presim raportin e ardhshëm të komisionit, në pranverë të vitit 2018, por ka një angazhim të Komisionit që të informojë apo të rishqyrtojë ecurinë e Shqipërisë, sa me shpejt apo kur të ketë përparim të prekshëm. Pra unë mendoj se ky është një rezultat i qartë dhe pozitiv dhe se Shqipëria duhet të jetë e kënaqur”.

Ndërkohë Këshilli, kërkon që vendi të vazhdojë me zbatimin e 5 përparësive kyçe të identifikuara që në vitin 2014. “Duke rikujtuar përfundimet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të Dhjetorit 2015, Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës i të 5 prioriteteve kyçe, duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave”, nënvizohet në pjesën për Shqipërinë.

Pikat e tjera ishin një përmbledhje e gjetjeve të Raportit të Komisionit europian, ku sërish një theks i vecantë i vihet rëndësisë së miratimit të refomës në Drejtësi. Reforma mbetet kyc për shtetin e së drejtës dhe mund të jetë transformuese edhe për fusha të tjera, ndërsa Komisioni ftohet të intensifikojë angazhimin e vet teknik me Shqipërinë në fushën e shtetit të së Drejtës. Po ashtu Shqipërisë i kërkohet që “të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të sigurojë se rezultate në luftën kundër korrupsionit do të ketë dhe në nivele të larta, sikundër duhet të garantohen në mënyrë progresive dhe rezultate më efektive në shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe trajtimin e çështjes së prodhimit të drogës dhe trafikimit”.

Në pjesën për Shqipërinë theksohet gjithashtu se “dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat që lidhem me integrimin europian mbetet kyc për avancimin e mëtejshëm të axhendës së reformave dhe e çon vendin më afër BE-së. Kjo do të jetë e një rëndësie të vecantë gjithashtu për finalizimin e reformës zgjedhore, në trajtimin e rekomandimeve të OSBE-së në një kohë të mjaftueshme para zhvillimit të zgjedhjeve për të siguruar që ato të mbahen në linjë me standartet ndërkombëtare”.

Tensionet e kohëve të fundit më Greqinë duket se kanë lënë gjurmë edhe në përfundimet e vendeve anëtare për Shqipërinë. Në paragrafin e fundit “Këshilli mirëpret vazhdimin e angazhimit konstruktiv në bashkëpunimin rajonal dhe nënvizon rëndësinë për të siguruar marrëdhënie të mira të fqinjësisë, çka është thelbësore. Veprime apo deklarata të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore, duhet të shmangen”.

XS
SM
MD
LG