Lidhje

Merkel, Hollande, dakord për të vazhduar me sanksionet kundër Rusisë


Dy ditë para një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian për konfliktin në Ukrainë, Franca dhe Gjermani ranë dakord të vazhdojnë sanksionet kundër Rusisë, për shkak të mungesës së përparimit në zbatimin e një marrëveshjeje armëpushimi. Të dyja vendet janë përpjekur të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen e Minsk-ut për stabilizimin e Ukrainës, por pa sukses deri tani.

Kancelarja gjermane Angela Merkel foli me Presidentin francez, Francois Hollande në Berlin, ku ai kishte shkuar për të marrë pjesë në një konferencë franko-gjermane mbi ekonominë dixhitale. Zonja Merkel tha se zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit ka qenë shumë i ngadaltë.

“Do të jetë e nevojshme të vazhdojmë me sanksionet kundër Rusisë – edhe pse ne donim të shihnim përparime në zbatimin e marrëveshjes” tha kancelarja gjermane.

Zoti Hollande pajtohet me fjalët e saj.

“Në Ukrainë duam që të zbatohet Marrëveshja e Minsk-ut. Dhe në qoftë se nuk zbatohet do të vazhdojmë me sanksionet edhe në qoftë se nuk është një procedurë që mund të vazhdojë përgjithmonë. Por në qoftë se nuk ka asnjë përpjekje, atëherë pajtohem me kancelaren se sanksionet duhet të vazhdojnë” tha ai.

Data e përfundimit të sanksioneve është ndryshuar disa herë dhe pritet të përfundojnë në fund të janarit.

Kievi dhe perëndimi akuzojnë Rusinë për nxitjen e lëvizjes separatiste dhe ndihmë ndaj rebelëve.

Kremlini i mohon këto akuza dhe akuzon Ukrainën për vazhdimin e dhunës dhe shkelje të marrëveshjes së Minsk-ut.

Në fund të muajit të kaluar, bisedimet katër palëshe për përfundimin e konfliktit separatist përfunduan pa ndonjë përparim të madh.

Konflikti mes forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, ka marrë jetën e rreth 10 mijë personave që kur filloi në vitin 2014. Të enjten, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë vazhdimin e sanksioneve, të cilët përfshijnë kufizime në qasje në financim ndërkombëtar dhe në bashkëpunim në fushat e mbrojtjes dhe energjisë me Rusinë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG