Lidhje

Sekretet e suksesit në Luginën Silikon, Kaliforni


Profesionistë, sipërmarrës dhe studentë nga e gjithë bota shkojnë në Luginën Silikon “Silicon Valley” për të mësuar sekretet e suksesit të kompanive teknologjike amerikane. Korrespondenti i shërbimit indonezian të Zërit të Amerikës Vina Mubtadi na tregon se si të ndjekim shëmbullin e tyre.

Prej kohësh, Lugina Silikon dhe zona e gjirit të San Françiskos njihen si drejtuesit e teknologjisë dhe novacionit. Të gjithë gjigandët e teknologjisë e kanë bazën aty, ndërsa kompani të reja vazhdojnë të lulëzojnë.

“Lugina Silikon është meka e teknologjisë. Këtu janë përqendruar mendjet më të ndritura.”

Mohammad Ibrahim është përfaqësues i Shteteve të Bashkuara i një organizate të quajtur “Leaders”.

Ai fton kompani fillestare nga territoret palestineze për një program specializimi një mujor me ekspertë të Luginës Silikon.

“Japim trajnime për rritjen, shkallëzimin e procesit, strategjinë e marketingut, shitjet dhe zhvillimin. Nëse kanë nevojë për të grumbulluar kapital, ne i vëmë në kontakt me investitorët."

Mundësi të tilla trajnimi ofrohen gjithashtu nga firma Google përmes programit të saj “Launchpad Accelerator”.

Programi përfshin 50 mijë dollarë financim dhe dy javë trajnim. Ai është i hapur për kompani fillestare nga Amerika Latine dhe Azia.

"Po sjellim mentorët më të mirë që mund të ketë sot Lugina Silikon dhe po përpiqemi të zgjidhim sfida të ngjashme. Ishte një kompani nga India që kishte sfida të ngjashme me ato që përballej kompania Airbnb. Përmes kësaj experience ne krijojmë vlera ose sjellim vlera që do të ishte e vështirë t’i jepnim në zona të tjera."

Google thotë se po kërkon të përfshijë më shumë vende dhe rajone në të ardhmen.

Por për ata që janë ende në shkolla dhe nuk kanë filluar ende kompanitë e tyre, ka një mënyrë tjetër për të provuar Luginën Silikon. Kompani të ndryshme teknologjike si Mozilla ofrojnë tre muaj praktikë të paguar në verë.

“Këtu në Mozilla, ne kërkojmë më të mirët dhe më të zgjuarit, por përqëndrohemi gjithashtu tek diversiteti dhe gjithpërfshirja. Meqë jemi një kompani ndërkombëtare, punësojmë praktikantë nga e gjithë bota. Punësojmë në pozicione teknike dhe jo-teknike, pra kemi një seri pozicionesh ku ata mund të aplikojnë.”

Praktikantët në Luginën Silikon mund të marrin një pagesë prej 5 mijë dollarësh në muaj, përfitime dhe eksperiencë të çmuar – diçka që të gjithë e dëshirojnë.

XS
SM
MD
LG