Lidhje

Rick Perry emërohet Sekretar i Energjisë


Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka vendosur të emërojë ish-kundërshtarin politik dhe ish-guvernatorin e Teksasit Rick Perry, në krye të Departamentit të Energjisë. Në të kaluarën ish-guvernatori Perry ka propozuar eliminimin e Departamentit të Energjisë për të ulur shpenzimet qeveritare.

Rick Perry ka shërbyer 14 vjet si guvernator i Teksasit dhe ishte kandidat për president në zgjedhjet paraprake të republikanëve në vitet 2012 dhe 2016.

Në vitin 2011, në garën e tij të parë për president, zoti Perry bëri një gafë që ia prishi shanset për të marrë emërimin e partisë republikane. Gjatë një debati televiziv, zoti Perry bëri thirrje për eliminimin e tre agjencive qeveritare federale, Departamentin e Tregtisë, Departamentin e Arsimit, por atij nuk iu kujtua departamenti i tretë.

"Agjencia e tretë qeveritare që do të eliminoja, përveç Departamentit të Tregtisë dhe të Arsimit është.... nuk më kujtohet tani...më vjen keq."

Ai tha më vonë se Departamenti i Energjisë ishte agjencia e tretë që donte ta eliminonte, nëse zgjidhej president.

Rick Perry, një konservator i palëkundur, mund ta zhvendosë Departamentin e Energjisë larg fokusit të tanishëm që është energjia e përtëritshme e që mbështetet nga Presidenti Barack Obama, dhe ta kthejë vëmendjen tek nafta dhe hidrokarburet, që zoti Perry mbështet në Teksas, një shtet i pasur me naftë.

Zoti Perry është një skeptik i zëshëm i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, por gjatë mandadit si guvernator ai e shndërroi Teksasin në një prodhues të madh të energjisë së erës.

Në fillim të fushatës së zgjedhjeve paraprake republikane këtë vit, zoti Perry e quajti zotin Trump "kancer të konservatorizmit."

Kush është Rick Perry

Rick Perry, guvernatori që ka shërbyer më gjatë në shtetin e dytë më të madh të Amerikës, është teksan i brezit të pestë.

Origjina e familjes së zotit Perry është angleze dhe daton me 13 kolonitë e para që u vendosën në Amerikë. Familja e tij ka qënë në Teksas që para Revolucionit të Teksasit.

Perry u diplomua nga Universiteti A&M i Teksasit për veterinari. Pas diplomimit në vitin 1972, zoti Perry u autorizua të shërbente si oficer i Forcës Ajrore Amerikane dhe përfundoi stërvitjen si pilot në shkurt të vitit 1974. Më pas u caktua si pilot i avionëve C-130 dhe Skuadriljes Taktike të Transportit Ajror 772.

Zoti Perry u largua nga Forcat Ajrore në vitin 1977 me gradën e kapitenit, u kthye në Teksas dhe hyri në biznesin e fermave të pambukut me të atin.

Perry u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të Teksasit si demokrat në vitin 1984. Ai shërbeu në komisionin e buxhetit gjatë tre mandateve dy vjeçare.

Më 29 shtator 1989, Perry njoftoi se do të ndërronte parti për t’u bërë republikan. Një vit më vonë, si republikan i ri, Perry sfidoi komisionierin demokrat të bujqësisë, Jim Hightower. Karl Rove, i cili do të shërbente si këshilltar i lartë dhe zëvendës shef i personelit në administratën e presidentit George W. Bush, ishte menaxheri i fushatës së zotit Perry.

Në vitin 1998, vendosi të mos kërkonte një mandat të tretë si Komisioner i Bujqësisë duke zgjedhur të garonte për zv/guvernator në shtetin e tij. Perry fitoi.

Ai e mori postin e guvernatorit në 21 dhjetor 2000 pas dorëheqjes së George W. Bush, i cili po përgatitej për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara. Perry fitoi garën për guvernator në vitin 2002 dhe përsëri në 2006 dhe 2010.

Ai dështoi në garën për president në vitin 2012 dhe 2016 për të fituar emërimin e partisë republikane.

Që nga shkurti 2015, zoti Perry ka shërbyer në bordin e drejtorëve të kompanisë Energy Transfer Partners, e cila zotëron dhe administron një nga portofolet më të mëdha të aseteve të energjisë në Shtetet e Bashkuara. Kompania ka në pronësi një naftësjellës prej më shumë se 100 mijë kilometrash dhe tani është në procesin e ndërtimit të naftësjellësit të debatueshëm Dakota Access Pipeline.

XS
SM
MD
LG