Lidhje

Krerët e BE-së diskutojnë për Brexit, emigrantët, Rusinë


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po takohen në Bruksel në mbyllje të një viti të trazuar për grupimin 28 anëtarësh, i cili përballet me pikëpyetje rreth integritetit dhe të ardhmes së tij.

Ndër sfidat kryesore që po trajtohen në takim janë çështjet nëse do të vazhdojnë sanksionet kundër Rusisë për Ukrainën, kriza e emigrantëve në Evropë dhe vendimi i Britanisë qershorin e kaluar për t'u larguar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministrja britanike, Theresa May do të largohet nga mbledhja më herët se krerët e 27 vendeve të tjera anëtare, të cilët do të takohen për darkë dhe për një diskutim jozyrtar rreth pikëpamjeve të tyre mbi shkëputjen britanike.

Mospjesëmarrja e zonjës May në darkë është një nga shenjat e para të dukshme të realitetit se Britania, ekonomia e dytë më e madhe e BE-së, së shpejti nuk do të jetë më pjesë e bllokut.

Në një deklaratë, zëdhënësi i zonjës May nuk i vuri rëndësi asaj që disa vëzhgues e interpretojnë si qëndrim mospërfillës ndaj udhëheqëses britanike.

"Fakti se ky është është një takim i 27 vendeve pasqyron realitetin se ne po largohemi nga Bashkimi Evropian," tha zëdhënësi.

Lidhur me Rusinë, në takim nuk priten surpriza. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez François Hollande në fillim të javës thanë se do të mbështesnin zgjerimin e sanksioneve për çështjen e Ukrainës. Deklarata e tyre u bë pavarësisht trysnisë në rritje nga investitorët dhe grupet e energjisë në Evropë, duke përfshirë edhe ata brenda vetë Gjermanisë, që sanksionet të zbuten.

Analistët thonë se mungesa e entuziazmit për vazhdimin e masave që ndëshkojnë Rusinë është nxitur nga gatishmëria që ka shprehur presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump për të punuar ngushtë me Rusinë për zgjidhjen e konflikteve dhe luftuar terrorizmin.

Bashkimi Evropian e ka dënuar fuqimisht ofensivë e qeverisë siriane në disa pjesë të Aleppos, sulm që ka mbështetjen e Rusisë.

"Ne po punojmë ditë e natë, pa ekzagjerim, për të garantuar mbrojtjen e civilëve në radhë të parë në të gjithë Alepon lindore. Për ne, ajo që po ndodh aktualisht me civilët është krejtësisht e papranueshme dhe përparësia jonë është: Mbrojtja e civilëve e përsëri mbrojtja e civilëve. Ne po mbështesim shpërndarjen e ndihmës humanitare për të cilën po bëhen përpjekje,” tha Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të BE-së.

Analistët thanë se nuk ka gjasa të shpallen sanksione të reja kundër Moskës për rolin e saj në Siri.

Një çështje tjetër në këtë takim është qëndrimi i Holandës lidhur me Ukrainën.

Në muajin prill votuesit holandezë hodhën poshtë një marrëveshje mes BE-së dhe Ukrainës për të forcuar lidhjet politike dhe ekonomike mes Brukselit dhe Kievit, marrëveshje që shumë analistë e interpretojnë si një hap të parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG