Lidhje

Tensionet në Maqedoni


Nikola Gruevski

Gjendja në Maqedoni duket se po tensionohet pas debateve të shumta lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit. Gjykata administrative ka urdhëruar rivotimin në një qendër-votimi në Tearcë pranë Tetovës, që mund ta ndryshojë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve, në dëm të partisë VMRO-DPMNE. Kjo e fundit thotë se nuk do të marrë pjesë në rivotim e as nuk do ta njohë rezultatin. Gjendja e tensionuar ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar, pas retorikës kërcënuese ndaj disa ambasadorëve perëndimorë. Ka reaguar edhe Departamenti i Shtetit.

Rivotimi në Tearcë të Tetovës, i caktuar për më 25 dhjetor, me vendim të Gjykatës Administrative, mund të ndikojë, sipas analistëve, në më shumë aspekte, si të politikës, por dhe të sigurisë. VMRO-DPMNE edhe sot ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në rivotim në Tearcë, që bën pjesë në zonën e gjashtë zgjedhore. VMRO-ja nuk do të njihte rezultatin, ashtu siç ka paralajmëruar.

Për pasojë, ajo do të mund të organizonte protesta dhe kjo do ta thellonte krizën, parashikon një pjesë e analistëve. Zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit, ndërkaq, kishin për qëllim t’i japin fund krizës dy vjeçare që u shkallëzua me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike sidomos të zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Në këtë kuadër, VMRO-ja ka shtuar retorikën negative jo vetëm ndaj partive opozitare e shoqërisë civile, por edhe ndaj ambasadorëve perëndimorë, për të cilët mendon se po ndikojnë për t’ia rrëmbyer fitoren në zgjedjet e 11 dhjetorit. Kryetari i VMRO-së dhe ish-kryeministër Nikolla Gruevski gjatë një proteste para pak ditësh u kërkoi ambasdorëve që të mos përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë. Protestuesit në tubimin e VMRO-së mbanin pankarta ku mes tjerash shkruhej “Ambasador Bejli larg duart nga Maqedonia”.

Gjendja e krijuar pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit ka shqetësuar dukshëm komunitetin ndërkombëtar.

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka dënuar retorikën provokuese nga disa udhëheqës politikë, siç tha të marten zëdhënësi John Kirby në Uashington, që bëhet shkas për nxitjen e sulmeve ndaj institucioneve demokratike dhe ambasadorëve të akredituar në Maqedoni”.

Zoti Kirby, u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Maqedoni të heqin dorë, siç u shpreh ai, “nga këto sulme të pajustifikuara, të respektojnë procesin demokratik dhe të lejojnë formimin e një qeverie të besueshme e të qëndrueshme, që respekton shtetin ligjor dhe liritë bazë. Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi amerikan, janë të gatshme ta ndihmojnë një qeveri të tillë, që të realizojë synimet e Maqedonisë për integrimin euro-atlantik”.

Një numër analistësh në Shkup, ndërkaq, mendojnë se sjellja e këtillë e drejtuesve të VMRO-DPMNE-së flet për përgatitjen e tyre për të kaluar në opozitë. Kjo parti e djathtë erdhi në pushtet në vitin 2006. Një vit më parë Maqedonia mori statusin vend kandidat për anëtarësim në BE, por që prej atëherë nuk është shënuar ndonjë përparim i dukshëm drejt integrimit euro-atlantik.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG