Lidhje

Smogu në Kinë


Kina është përfshirë ditët e fundit nga smogu më i rëndë i vitit dhe më shumë se 70 qytete kanë paralajmëruar duke dhënë alarmin për ndotjen e madhe të mjedisit.

Cilësia e keqe e ajrit ka nxitur qeverinë që të urdhërojë mbylljen e fabrikave, kufizimin e qarkullimit të së makinave dhe mbylljen e shkollave në qytetet më të goditura - duke përfshirë Pekinin. Masat kufizuese, që hyn në fuqi të premten e kaluar, nuk do të hiqen deri të enjten, kur erërat e forta pritet të ndihmojnë në shpërndarjen e smogut.

Ndërsa disa në Kinë bien dakord se kushtet e pafavorshme të motit mund të kenë shkaktuar smogun gjashtë-ditor, shumë të tjerë po shtrojnë pyetjen: a po bën qeveria sa duhet për të zgjidhur problemin e ndotjes së ajrit?

Smogu më i keq në botë

Deri të mërkurën në mbrëmje, Pekini ishte qyteti më i ndotur në botë. Indeksi i cilësisë së ajrit, sipas AirVisual – një organizatë që monitoron cilësinë e ajrit, arriti në 434.

Disa studime kanë treguar se jetëgjatësia mund të pakësohet me gati 8 orë, për çdo ditë që ajri arrij nivele të tilla të ndotjes.

Në krye të listës së dhjetë qyteteve me ajrin më të ndotur në botë janë Daka, kryeqyteti i Bangladeshit, me ka indeksin e ndotjes 238, Kalkuta e Indisë me 235, së bashku me qytetet kineze, Çengdu, në provincën Sishuan dhe Guangzhu në provincëm Guangdong.

Në përgjithësi, qielli mbi Kinë ka qënë me ngjyrën e kuqe të errët në hartën për ndotjen e ajrit të organizatës AirVisual (https://airvisual.com/earth ) për ditë të tëra, përkundrejt ngjyrës së gjelbërt që kanë vendet fqinje.

“Tani për tani, moti ka një ndikim të madh në cilësinë e ajrit në Kinë. Siç e shikoni, ka një ngjyrë të errët mbi të gjithë Kinën. Kjo do të zhduket nesër, por tani për tani është shumë keq”, thotë Yann Boquillod, themeluesi i organizatës AirVisual, duke shtuar se indeksi i cilësisë së ajrit në Kinë ka qënë mesatarisht mbi 300 gjatë ditëve të fundit.

Shumë banorë të Pekinit, janë ankuar se smogu i rëndë ka pakësuar shikueshmërinë në më pak se 50 metra. Një vizibilitet i tillë ka çuar në anulimin apo vonesat e qindra fluturimeve.

Rritja e rrezikut për shëndetin

Gjendja e rëndë e ndotjes së ajrit në Kinë ka shqetësuar shumë qytetarë. Në rrjetin social Weibo, ekuivalenti i Twitter-it në Kinë, një përdorues me emrin Chang-rui shprehet: "Le të presim shpërthimin e kancerit të mushkërive në 10 vjet." Në përgjigje të komentit të tij, të tjerët ishin edhe më shumë pesimist.

Një përdorues thotë: "Nuk do të marrë aq gjatë. Do të thosha se duhen vetëm tre deri në pesë vjet".

Një tjetër shton: "Miku im më i mirë, i cili shkon në kolegjin Shijiazhuang, kryeqyteti i provincës Hebei, tashmë është diagnostikuar me leuçemi dhe u kthye në shtëpi në Chongqing për trajtim".

Shumë përdorues të Weibos ngritën pyetjen nëse qeveria ka bërë sa duhet për zbatimin e kufizimeve ndërsa disa shkruajnë se "ligjet dhe regulloret për kontrollin e ndotjes si dhe zbatimi i tyre nuk kanë qenë në nivelin e duhur."

Për shembull, qyteti Shijiazhuang dërgoi nxënësit në shkollë edhe pse indeksi i ndotjes së ajrit ka qënë rekord kohë pas kohe, sipas medias lokale.

Media shtetërore Hsinhua citon një zyrtar në provincën Hainan, që thotë se gati 4,000 fabrika në provincë mund të mos e kenë ndaluar punën, apo kufizuar prodhimin.

Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit tha të hënën se ka gjetur vetëm një numër të vogël biznesesh që nuk e kanë marrë seriozisht ndalimin e punës dhe vazhdojnë operacionet. Por më shumë se 100 mijë shoferë në Pekin kanë marrë gjoba pasi shkelën kufizimet e trafikut, thuhet në një deklaratë për shtyp të ministrisë.

Ndërgjegjësim i pamjaftueshëm

Fakti që kaq shumë njerëz në Kinë janë ende duke provuar shansin e tyre gjatë krizës më të keqe të smogut tregon nevojën për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për ndotjen e ajrit, thotë Ma Yongliang, profesor për mjedisin në Universitetin Tsinghua.

Profesori thotë se, megjithatë masat kufizuese të qeverisë janë një kurë afatshkurtër, që nuk do të sjell fundin e problemit të ndotjes në vend.

"Në aspektin afatgjatë, problemi i ndotjes mund të lehtësohet vetëm duke rregulluar strukturën industriale të vendit, apo duke përshpejtuar përmirësimin e industrive ndotëse në mënyrë që të pakësohen burimet e emetimit të ndotësve", thotë profesori Ma.

Në përgjithësi, profesori vlerëson përpjekjet e qeverisë, të cilat thotë ai, kanë ndihmuar Kinën, ndërsa është përmirësuar shkurtimi i çlirimit të dioksidit të karbonit gjatë viteve të fundit, pas fillimit të një plan-veprimi në vitin 2013.

Por rritja e përdorimi të qymyrit për ngrohjen e shtëpive, veçanërisht në zonat rurale, mund të përbëjë një pengesë të madhe për qeverinë për të trajtuar problemin, kur ndotja përkeqësohet në dimër, paralajmëron profesori. Kjo, shton ai, do të jetë një tjetër çështje e ngutshme pasi qeveria nuk ka qenë në gjendje të gjejë burime të një energjie të pastër alternative.

XS
SM
MD
LG