Lidhje

Vlerësimi i gjyqtarëve, Gjykata: Eshtë kushtetues


Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese vendosi sot të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur antikushtetues Ligjin për vlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Vendimi zhbllokon zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësohet si elementi kyç i të gjithë reformës, pa zbatimin e të cilit nuk mund të ngrihen institucionet e reja të parashikuara.

Shqipëri: Kushtetuesja mban në fuqi Ligjin për Vlerësimin e Gjyqtarëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Vetëm dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese mbështetën sot kërkesën e opozitës kundër ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. 6 anëtarët e tjerë vlerësuan se nuk ka shkelje të kushtetutës dhe as të të drejtave të njeriut, duke bërë që ligji tanimë të nisë na zbatimi, sapo vendimi të publikohet i plotë nga Gjykata.

Përpara se të shprehej mbi përmbajtjen, Gjykata kishte vendosur pezullimin e ligjit, ndërkohë që ju drejtua dhe Komisionit të Venecias për të marrë një opinion. Përgjigja e Komisionit të Venecias, e 12 dhjetorit ishte gjithashtu pozitive duke vlerësuar se dispozitat e tij nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në kërkesën e saj.

Opozita nga ana saj, pavarësisht opinionit të Venecias kishte theksuar se ky institucion nuk ishte shprehur për përputhjen apo jo të ligjit me kushtetutën shqiptare dhe se kjo ishte kompetencë vetë e Gjykatës. Në fakt Komisioni kishte nënvizuar se nuk synonte “marrjen e një qëndrimi përfundimtar mbi çështjen e kushtetutshmërisë së dispozitave të caktuara të Ligjit të Vetingut, por thjesht dhënien e materialit Gjykatës Kushtetuese në lidhje me përputhshmërinë e dispozitave të Ligjit me standardet Europiane, për të lehtësuar shqyrtimin nga Gjykata të këtyre dispozitave sipas Kushtetutës së Shqipërisë”.

Duke komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës opozita tha se “respekton vendimin dhe ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë”, duke shtuar megjithatë se “Partia Demokratike mbetet njësoj e shqetësuar se ligji aktual do ta vendosë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e Kryeministrit”.

Entuziazëm në kampin tjetër, atë të shumicës. Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale shkruajti se “e vonuan po s'e ndalën dot. Tani koha për të nisur zbatimin sa më parë! Të fillojmë spastrimin në Pallatin e Drejtësisë dhe të marrim datën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili foli për “një vendim të jashtëzakonshëm, edhe për thelbin e procesit të reformës në drejtësi, që merr besoj një legjitimitet të ri, pasi pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga zbatimit të reformës, e cila është shumë e lidhur dhe e ka moment kyç zbatimin e ligjit të vlerësimit. Në fund të fundit është marrë një përgjigje e qartë edhe për një çështje, e cila e lidh reformën në drejtësi dhe me integrimin evropian, dhe është një lajm pozitiv që shkon edhe në këtë drejtim”.

Zbatimi i Reformës në Drejtësidhe veçanërisht i ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është kushti që sipas Bashkimit europian, vendi duhet të plotësojë për të marrë dritën jeshile për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Komisionit europian ndërkohë i është kërkuar që të angazhohet edhe teknikisht për zbatimin e reformës, ndërsa një numër jo i vogël ekspertësh europianë, do të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në mbrëmje, në një deklaratë të shpërndarë në Tiranë Bashkimi Evropian u shpreh se “i kushton vëmendje të veçantë vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e ligjit të vetingut në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë. BE-ja i inkurajon autoritetet shqiptare të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo është thelbësore për përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është pritur gjatë nga qytetarët shqiptarë. Komisioni Evropian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi vetingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”.

Edhe ambasada e SHBA në Tiranë deklaroi se “mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vetingut. I bëjmë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës. Gjithashtu, nxisim udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Një reformë kuptimplotë që i largon gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor gëzon mbështetjen e publikut të gjerë dhe është një prioritet kryesor i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri”, thekson deklarata e ambasadës amerikane.

XS
SM
MD
LG