Lidhje

Baba Viti u përgjigjet nga Indiana letrave të fëmijëve


Çdo vit për Krishtlindje fëmijë nga e gjithë bota i shkruajnë letra Baba Vitit. Por siç njofton korrespondentja Erika Celeste, megjithëse letrat nuk arrijnë ndonjëherë në adresën e tij në Polin e Veriut, ato në fakt i bien në dorë Baba Vitit dhe gjithmonë marrin përgjigje:

Një qytet i vogël në shtetin Indiana, i pagëzuar me emrin Baba Viti, mund të jetë 6 mijë km nga Poli i Veriut, por në këtë sezon jeton me frymën e Krishtlindjes. Çdo vit në këtë qytet mbërrijnë 25 mijë letra për Baba Vitin dhe secila prej tyre merr përgjigje.

“Me sa dimë, në vitin 1914 drejtori i zyrës postare filloi t’u përgjigjej letrave që dërgonin fëmijët,” thotë Pat Koch, vullnetare në qytezën e Baba Vitit.

Nga viti 1930 drejtori i zyrës postare kishte filluar të merrte aq shumë letra sa që nuk i përballonte dot. Sapo e mësoi këtë fakt babai i Patit, ai organizoi veteranët e zonës, klerikë e nxënës shkollash t’u përgjigjeshin letrave. Rreth 10 vjet më pas edhe vetë Pati filloi të ndihmonte.

Në ditët tona vullnetarët u përgjigjen fëmijëve me një nga katër letrat standarde që përmbajnë mesazhe pozitive për zemërgjerësi, sjellje të mirë dhe ndihmë për të tjerët. Por ka edhe një element personal në letër:

“Nuk u premtojmë asnjëherë asgjë; nuk i kritikojmë kurrë. Vetëm i inkurajojmë. Përgjigja përmban edhe emrin e fëmijës, pra bëhet më personale,” thotë Pat.

Letrat mbërrijnë gjatë gjithë vitin, por shumica vijnë në nëntor dhe dhjetor. Ed Reinhard, i cili është përgjegjës për postën, beson se kanë marrë letra nga çdo vend i botës. Shërbimi Postar amerikan gjithmonë i transferon letrat në qytezën e vogël në Indiana, pavarësisht se çfarë adrese është shkruar në zarf:

“Marrim letra që në adresë kanë fjalën “Baba Viti” ose “Poli i Veriut”. Disa prej tyre i dërgojnë letrat në adresë të burrit me kostum të kuq,” thotë Ed Reinhart.

Në disa raste letrat vijnë pa pullë, vetëm me një ngjitëse në qoshe.

Vullnetarët përpiqen t’i përgjigjen çdo letre, por shpesh herë dëshpërohen kur zarfi nuk ka adresë të dërguesit. Ekipi kërkimor përpiqet ta deshifrojë adresën nga stampa që i ka vënë zyra postare, por shpesh është e pamundur. Këshilla e tyre për prindërit është që gjithmonë të sigurohen se zarfat kanë adresën e dërguesit, para se ta hedhin letrën tek kutia postare.

Këtë vit kërkesat më të shumta kanë qenë për lojën Hatchimals, për telefonë inteligjentë dhe për kafshë shtëpiake si një qen apo një kalë. Por ka edhe letra nga të rritur. Të rinj nga Kina i shkruajnë Baba Vitit me shpresën se do të dalin mirë në provime.

“Kemi pasur raste kur të rritur kanë kërkuar nga Baba Viti unazë diamanti, apo t’i gjente një burrë. Në disa raste të rriturit urojnë të kenë shërim nga sëmundjet,” thotë vullnetari Ed Reinhart.

Ndihmësit e Baba Vitit nuk mendonin ndonjëherë se akti i tyre vullnetar do të merrte kaq famë. Ka shumë njerëz që thonë se ndihmësit duhet të paguhen, por ata vetë këmbëngulin se do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë vullnetare.

“Çdo gjë që ndodh, bëhet e mundur pasi ka njerëz të mirë, të cilët ende besojnë në frymën e sezonit të Krishtlindjes dhe kuptimin e vërtetë të kësaj feste”.

XS
SM
MD
LG