Lidhje

Argjentina, plane ambicioze për riciklim


Në Argjentinë, vullnetarë lokalë e nga vende të tjera po punojnë nga afër me komunitetet e varfra për të shtuar vëllimin e riciklimit dhe për të ndërtuar impjante me energji diellore. Shpresat janë të mëdha që Argjentina të fuqizohet nga potenciali i jashtëzakonshëm që ka ky vend i Amerikës Latine për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

Vullnetarët në Argjentinë po ndihmojnë banorët në lagje të varfra të riciklojnë mbeturinat për të prodhuar energji. Organizata joqeveritare “Sumando Energias” ndërtoi një panel diellor për dy orë që do të ndihmojë një familje të varfër në Garin, një komunitet 40 km larg Buenos Airesit.

Vullnetarët punuan pa pushim, megjithë shiun e rrëmbyer, duke mbledhur kanaçe, shishe plastike dhe kontenierë qumështi për t’i ricikluar. Sistemi që kanë ndërtuar është i thjeshtë dhe mund të kopjohet nga komunitete të tjera që kanë energji të bollshme diellore.

Tubat e sistemit lyhen në ngjyrë të zezë për të thithur sa më shumë diellin. Në këtë mënyrë, uji ruan nxehtësinë, pa qenë nevoja të përdoret energji elektrike apo nga gazi.

Tamara Legnazzi, studente për agronomi në Universitetin e Buenos Airesit, ka ardhur disa herë si vullnetare për projektet e shoqatës “Sumando Energias”.

"Më pëlqen puna vullnetare, pasi më jep mundësi të ndihmoj të tjerët dhe të njihem me njerëz të tjerë, të mësoj për ta dhe prej tyre. Po ashtu është mirë të jesh me njerëz që janë të gatshëm për veprim dhe të punosh me ta në një vend me energji pozitive”.

Shoqata ofron një trajnim dy ditësh për ata që duan të mësojnë si t’i kthejnë lëndët e ndryshme të mbeturinave në sisteme ngrohjeje për personat në nevojë.

Vullnetarët paguajnë rreth 40 dollarë për kursin, por më pas mund të angazhohen falas në projekte.

Sot ata po mësojnë se si të përdorin mbushjen e dyshekëve si izolant për banesat.

Ndërkaq, dielli nxeh tubat e impjantit të ngrohjes së ujit. Kjo u ofron familjeve ujë të ngrohtë për gjithë natën.

Pablo Castano, bashkëthemelues i shoqatës, thotë se ky projekt ndihmon komunitetet e varfra në një vend ku potenciali për energji të ripërtëritshme është tepër i madh:

"Argjentina ka një potencial të madh për energji diellore dhe ere. Po të kemi të njëjtin kapacitet si Gjermania, e cila ka të njëjtën lartësi nga niveli i detit si provinca Santa Cruz, ne do të mund të furnizonim me energji jo vetëm Argjentinën, por edhe vendet fqinje vetëm me energjinë nga Buenos Aires dhe pjesa veriore e vendit ku kemi shumë diell. Po ashtu Patagonia ka potencial të madh për të prodhuar nga era disa here më shumë energji se nevojat e Argjentinës”.

Një e treta e popullatës në Argjentinë jeton në komunitete ku shërbimet komunale janë të dobëta ose të pamjaftueshme. Rreth 17% e tyre nuk kanë ujë, sipas një statistike të fundit mbi popullatën. Angel Guelari është banor i Garinit, ku banorët do të kenë së shpejti një banjo që operohet me energji diellore, falë punës së vullnetarëve.

Angel po mëson edhe vetë si ta shfrytëzojë energjinë diellore. Angazhimi i banorëve është një ndër objektivat kryesore të shoqatës për të mobilizuar popullatën lokale në projektet e riciklimit dhe energjisë së ripërtëritshme.

"Këto gjëra që hedhim në plehra ndotin ambjentin, por ato mund të përdoren për nevoja praktike. Riciklimi është gjë e mirë. Më parë nuk ricikloja kurrë, hidhja edhe shishet. Qeset e plehrave mbusheshin plot dhe mbeteshin këtu se nuk vinte kush t’i mblidhte plehrat”.

Me ndihmën e vullnetarëve organizata “Sumando Energia” shpreson të ndërtojë impjante për prodhimin e energjisë nga dielli për 3000 familje në vit.

Luis Alberto Quinona, baba me tre fëmijë, ka parë shumë përmirësim në jetën e përditshme nga impjanti i ri. 28-vjeçari Quinona thotë se uji i nxehtë që merr nga impjanti ofron shumë lehtësira krahasuar me ujin që nxehte dikur në tenxhere për të larë fëmijët dhe për nevoja të tjera:

"Kjo është lagje e varfër dhe nganjëherë nuk kemi drita. Nuk kemi ujë. Ky panel që shfrytëzon energjinë diellore na ndihmon shumë, pasi kemi fëmijë. Prej tij kemi ujë të nxehtë, megjithëse është ndrëprerë rryma elektrike”.

Përpjekjet e Argjentinës kanë tërhequr jo vetëm të rinj vendas, por edhe plot vullnetarë të huaj që e shohin energjinë e ripërtëritshme si shpresa e së ardhmes për të përballuar zhvillimin.

Argjentina ka plane ambicjoze përpara. Në 2005, Argjentina u bë vendi i parë në Amerikën Latine që votoi për politika për riciklim të plotë të mbetjeve. Sipas zotimeve të qeverisë argjentinase, vendi synon të riciklojë çdo ditë 4000-5000 tonë mbetje urbane.

XS
SM
MD
LG