Lidhje

Avioni rus, gjendet kutia e zezë

  • Daniel Schearf

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën sot kutinë e zezë të avionit ushtarak që u rrëzua gjatë fundjavës në Detin e Zi.

Sipas agjencive ruse të lajmeve, kutia do të dërgohet në Moskë për analiza, ndërkohë që ekspertët po përpiqen të kuptojnë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit.

Zyrtarët rusë thonë se terrorizmi nuk është përjashtuar si shkak i mundshëm, por gjasat që kjo të ketë qenë arsyeja janë tepër të vogla.

Rusia, zi për viktimat

Rusia mbajti të hënën zi kombëtare për nder të 92 personave që humbën jetën një ditë më parë nga rrëzimi i një avioni ushtarak në Detin e Zi. Avioni 33-vjeçar Tu-154 ishte nisur nga Soçi për në një bazë ushtarake ruse në Siri.

Mes viktimave ishin 68 pjestarë të Ansamblit ushtarak Aleksandrov, një kor, orkestër dhe grup vallesh që do të jepte shfaqje me rastin e Vitit të Ri për aviatorët në një bazë ushtarake ruse në afërsi të Latakias.

Në Moskë, njerëzit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë një salle koncertesh, ku jepte shfaqje ansambli.

Një agjenci ruse lajmesh tregoi video ku dukeshin njerëzit e mbledhur në Sevastopol të Detit të Zi, duke ndezur qirinj dhe hedhur lule në det në kujtim të viktimave.

Vladimir Kuznjecov ish-anëtar i Ansamblit Aleksandrov, ishte mes atyre që kishin shkuar për të nderuar viktimat.

"I njihja të gjithë. Nuk mund ta besoj dot, e kam të pamundur të mbledh veten,” i tha Kuznjecov Agjencisë Franceze të Lajmeve.

"Neve na njihnin kudo në botë, kemi shkuar kudo," tha ai, duke mbajtur një qiri në një gotë plastike.

Televizioni shtetëror rus anuloi programet argëtuese dhe transmetoi fotografi bardhë e zi të viktimave.

Mes viktimave ishin edhe nëntë gazetarë rusë si dhe një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, Elizaveta Glinka, ose "Dr. Liza". Glinka do të dërgonte furnizime mjekësore për të ndihmuar viktimat e konfliktit sirian gati gjashtëvjeçar.

Shkaqet ende të paqarta

Ekipet e shpëtimit filluan të nxjerrin trupat e viktimave, në suazën e një operacioni të madh kërkimi me pjesëmarrjen e dhjetëra anijeve dhe avionëve.

Në median ruse ka patur hamendje për shkaqet e rrëzimit. Është folur për mundësinë e një gabimi teknik ose njerëzor apo se avioni mund të ketë qenë i mbingarkuar.

"Tu-154 ka kohë që nuk prodhohet më dhe Ministria e Mbrojtjes ishte praktikisht përdoruesja e vetme e avionit", thotë Maksim Pyadushkin, drejtor i revistës “Air Transport Observer”. "Por Ministria e Mbrojtjes ka thënë se avioni kishte kaluar nëpër remont kapital, që do të thotë se gjendja e tij ishte nën kontroll. Nuk mund të themi deri tani nëse ka pasur ndonjë problem teknik. Këtë do ta tregojnë rezultatet e hetimit," thotë Pyadushkin.

A mund të ketë qenë shkak ndërhyrja në Siri?

Zyrtarët rusë nxituan të përjashtojnë si shkak një sulm terrorist, pavarësisht shqetësimeve se ndërhyrja në Siri e ka bërë Rusinë më shumë se më parë një objektiv për ekstremistët.

Të martën e kaluar u vra në Ankara ambasadori i Rusisë në Turqi, nga një polic i motivuar me sa duket nga ofensiva e forcave Siriane mbi Alepon, ofensivë e mbështetur nga Rusia.

Rusia e justifikon mbështetjen për forcat siriane si luftë kundër terrorizmit, por kritikët thonë se rebelët që kundërshtojnë presidentin sirian Bashar-al Assad kanë qenë objektivi kryesor.

Disa njoftime të medias ruse thanë se viktimat e aksidentit të së dielës u gjetën me goma shpëtimi, gjë që e përjashton, sipas tyre, mundësinë e shpërthimit të papritur të një bombe.

"Pista e një akti terrorist është deri tani thjesht një supozim", thotë Pyadushkin. "Vetëm hetimet mund të japin prova. Do të deshëm të shpresonim se komisioni i aviacionit rus, së bashku me ushtrinë do të mund të kryejnë një hetim efikas."

XS
SM
MD
LG