Lidhje

Tajvani paralajmëron rritjen e kërcënimeve nga Kina


Ministri tajvanez i mbrojtjes paralajmëroi sot për rritjen e kërcënimeve nga Kina. Paralajmërimi erdhi pasi një grup anijesh luftarake, në krye të të cilave ishte aeroplanmbajtësja e parë e Kinës, lundroi në jug të Tajvanit në Detin e Kinës Jugore në kuadrin e manovrave të zakonshme ushtarake.

Manovrat u kryen të hënën, më shumë se tre javë pasi presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump pranoi një telefonatë të pazakontë nga Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, duke shkaktuar protestë diplomatike nga ana e Kinës.

Për shkak të veprimeve të zotit Trump, vëzhguesit politikë në Tajvan besojnë se Kina po e shton trysninë mbi vendin ishull, që ajo e sheh si territorin e saj, edhe pse dy vendet funksionojnë me qeverisje të ndryshme që nga përfundimi i luftës civile në vitin 1949.

Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës janë rritur ndjeshëm që prej fitores së zonjës Tsai në zgjedhjet presidenciale të janarit.

XS
SM
MD
LG