Lidhje

Shtypi amerikan: Presidenti Obama pritet të njoftojë masa kundër Rusisë


Shtypi amerikan njofton se administrata e presidentit Obama po përgatitet të njoftoj një seri masash kundër Rusisë për të ndëshkuar këtë vend për ndërhyrjen në zgjedhjet e 8 nëntorit. Sipas gazetës “Washington Post” zyrtarë amerikanë janë shprehur se këto masa mund të jenë sanksione ekonomike dhe diplomatike.

Rusia i ka mohuar akuzat se presidenti Putin është përfshirë personalisht në hakerimin që i kushtoi kundërshtares së zotit Trump, demokrates Hillary Clinton, zgjedhjet.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump në mënyrë të vazhduar ka mbrojtur qëndrimin se Rusia nuk u përzje në zgjedhjet e muajit të kaluar.

Ka ende pyetje sesi hakerat rusë arritën të sigurojnë emailet e zyrtarëve të fushatës së zonjës Clinton dhe t’i publikonin në Uikiliks në përfundim të fushatës, me sa duket në një përpjekje për të ndikuar zgjedhjet, në favor të zotit Trump.

Ndërkohë, senatori i njohur republikan Lindsey Graham tha se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane dhe duhet të presë për këtë sanksione të ashpra.

Ai tha të mërkurën se në 2017, kongresi amerikan do të hetojë përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e 8 nëntorit, të cilat sollën në pushtet biznesmenin Donald Trump.

Shpresoj që sanksionet do të kenë miratimin e të dyja palëve në Kongres. Ato do të godasin Rusinë fort, veçanërisht presidentin Putin”, tha sentori Graham.

Ai shtoi se “është koha që Rusia të kuptojë, se mjaft do të thotë mjaft”.

Senatorja demokrate Dianne Feinstein, nën kryetare e komisionit të zbulimit në senat, i tha “Zërit të Amerikës” se, “është shumë e qartë që Rusia u përfshi në zgjedhjet e fundit duke mbledhur të dhëna nga të dyja palët, por nxori vetëm ato të një pale, në një përpjekje për të dëmtuar zgjedhjet.

Presidenti Obama ka urdhëruar shërbimet e zbulimit për një rishikim të plotë të akuzave të ngritura.

Senatori Graham i bëri komentet e tij në Riga të Letonisë ku ndodhet në një tur në vendet Baltike, fqinje me Rusinë. Së bashku me të janë dhe senatori tjetër republikan John McCain si dhe ajo demokrate Amy Klobuchar. Udhëtimi bëhet në një kohë kur janë ngritur pyetje se çfarë kursi do të mbajë presidenti i zgjedhur Trump kur të marrë zyrtarisht detyrën.

Senatori McCain, që është kryetar i komisionit të forcave të armatosura në senat, u tha gazetarëve se pavarësisht kohëve të pazakonta përpara, “do të vazhdojmë të mbështesin fort NATO-n në kongres dhe senat. Ne të tre dhe shumë kolegë në senatin amerikan besojmë se sjellja e Vladimir Putinit është e papranueshme.shembulli i fundit është përpjekja e tyre për të ndikuar mesa duket rezultatin e zgjedhjeve në SHBA”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG