Lidhje

Kosovë: Parlamenti kërkon prishjen e murit mbi lumin Ibër


Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë për prishjen e murit në pjesën veriore të urës kryesore mbi lumin Ibër, ngritur nga autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës.

Miratimi i rezolutës pasoi reagime të shumta të autoriteteve dhe partive politike në Kosovë të cilat thane se ngritja e murit bie ndesh me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Rezoluta e miratuar me 76 vota, parashikon që “muri të prishet në muajin janar të vitit të ardhshëm, qeveria të angazhohet që të ndërmarrë masa ndaj ndërtimeve pa leje në veri dhe murin ta trajtojë si të tillë. Rezoluta i kërkon gjithashtu qeverisë të marrë masa që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe t’i përmbajë elementet që i kishte në vitin 1999 si dhe kthimin sa më parë tek qytetarët të pronave në veri”.

Autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës thonë se muri është pjesë e një projekti për ndërtimin e një shëtitoreje dhe se nuk do ta prishin atë.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian bëri të mundur që në gusht të këtij viti të fillojnë punimet për shbllokimin e urës. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për rikonstruksionin e saj, punimet për të cilën pritet të përfundojnë muajin e ardhshëm.

Prej muaji korrik të vitit 2011 autoritetet lokale serbe e mbanin të mbyllur urën lumin Ibër në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës, për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë në veri.

Rihapja e urës dhe rindërtimi i saj ndodh në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj Beogradit për të zbatuar në terren marrëveshjet e arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG