Irakianët në Mosul të premten u përballën me shpërthime me makina bombë dhe sulme ajrore në ditën e dytë të përpjekjeve të reja të ushtrisë irakiane për të rimarrë qytetin pas dy javësh qetësie relative.
Shpërthime të shumta të makinave bombë janë raportuar në disa pjesë të qytetit, por ende nuk ka shifra zyrtare për numrin e viktimave. Një oficer i policisë irakiane i tha agjencisë së lajmeve Reuters se forcat irakiane kanë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar disa makina bombë.
Të enjten, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tha se mund të ketë vrarë civilë në një sulm ajror që kishte në shënjestër një furgon që dyshyohej se ishte i mbushur me luftëtarë të Shtetit Islamik. Më vonë zyrtarët e komandës së ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme thanë se "makina ndodhej në parkingun e një spitali". Një video e transmetuar nga Agjencia e Lajmeve Amaq, e lidhur me Shtetin Islamik tregonte të paktën shtatë trupa që pretendohet të jenë civilë të vrarë gjatë sulmit ajror.
Banorët e lagjes al-Samah në periferi të Mosulit të premten janë parë duke lëvizur drejt kampeve për personat e zhvendosur apo drejt zonave të tjera të sigurta ndërkohë që luftimet po intensifikoheshin në të gjithë qytetin.
Mosuli, fortesa e fundit e mbetur e Shtetit Islamik në Irak, ra në duart e grupit terrorist në vitin 2014. Përpjekja për rimarrjen e qytetin, e cila filloi në mes të tetorit, ishte ngadalësuar në javët e fundit për shkak të motit të keq dhe mbrojtjes më të fortë se sa pritej nga ekstremistët.