Lidhje

Mali i Zi dhe kërkesa për anëtarësim në NATO


Presidenti Filip Vujanovic
Presidenti Filip Vujanovic

Muajin e ardhshëm, Senati amerikan mund të votojë për ratifikimin e kërkesës së Malit të Zi për t'u bërë anëtar i 29-të i NATO-s.

Aleanca zyrtarisht e miratoi kërkesën në konferencën e saj të korrikut në Varshavë. Deri tani, 19 nga 28 aleatët e NATO-s e kanë miratuar atë zyrtarisht. Miratimi nga ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara mund t’u sinjalizojë të tjerëve për t’i dhënë dritën e gjelbër zgjerimit nëpërmjet veprimeve të tyre legjislative.

Në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanovic tha se ai shpreson se anëtarësimi i vendit të tij në NATO do të formalizohet në gjysmën e parë të vitit 2017. "Për ne", tha ai, "është e rëndësishme që Senati amerikan të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit."

"Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një partner vërtet i vlefshëm në mbështetjen e reformave dhe integrimit të Malit të Zi në institucionet transatlantike. Ne jemi mirënjohës për këtë partneritet, i cili ka qenë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të Malit të Zi. Dhe unë nuk dyshoj absolutisht se Senati amerikan do të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi me shumicë dërrmuese", tha zoti Vujanovic.

Rusia e kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe rrjedhimisht edhe pranimin e Malit të Zi. Moska dyshohet se është përfshirë në një komplot të dështuar për grusht shteti në tetor për të instaluar një qeveri pro-ruse dhe penguar zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Pranimi i Malit të Zi do të ishte i pari pas anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në vitin 2009.

Ekspertët e sigurisë evropiane janë disi të shqetësuar nëse politika e presidentit të zgjedhur Donald Trump ndaj Rusisë do të ndikojë negativisht në kërkesën e Malit të Zi për t’u pranuar në NATO.

Por Presidenti i Malit të Zi beson se politika e administratës Trump ndaj Ballkanit ka të ngjarë të mbetet e fokusuar në stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e rajonit në BE dhe në NATO. Ai gjithashtu shpreson se marrëdhëniet e Malit të Zi me Rusinë do të përmirësohen pasi vendi zyrtarisht të vihet nën flamurin e NATO-s.

"Në një farë mënyre ne jemi tashmë në NATO," tha zoti Vujanoviç. "Rusia ka shprehur kundërshtimin e saj të njohur për zgjerimin e NATO-s. Mali i Zi duhet të jetë i durueshëm dhe të presë derisa të bëhet zyrtarisht anëtar i plotë i NATO-s. Pas kësaj, unë shpresoj se marrëdhëniet tona me Rusinë do të përmirësohen, sepse Rusia bashkëpunon dhe ka marrëdhënie të mira me shumë vende të NATO-s," tha Presidenti Vujanovic.

XS
SM
MD
LG