Lidhje

Fitorja e Donald Trumpit, surpriza politike e vitit


Trump

Kur revista Time zgjodhi Donald Trumpi si “Njeriun e Vitit” zgjedhja nuk shkaktoi habi, pas një fushate elektorale që kishte tërhequr vëmendjen e miliona vetëve në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone u hedh një vështrim zhvillimeve politike të vitit që po lëmë pas, si dhe disa prej sfidave që do të ndeshë zoti Trump si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara:

Rrugëtimi i Donald Trumpit drejt Shtëpisë së Bardhë filloi në qershor 2015, pasi njoftoi se po hynte në garë me një deklaratë që i përshtatej imazhit të tij si figurë e e spektakleve, dhe që i entuziazmoi përkrahësit:

“Po futem zyrtarisht në garën për president dhe do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”.

Zoti Trump krijoi bujë e polemika që në fillim, duke premtuar të ndalte imigracionin e paligjshëm dhe fillimisht duke propozuar të ndalonte futjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Rivalët e tij republikanë nuk e morën seriozisht futjen e tij në garë, duke e ndihmuar zotin Trump t’i mëshonte mesazhit se ai ishte konkurrenti i papërzier më parë në politikë, gjë që e ndihmoi të avanconte në garë me politikë veteranë si guvernatori i Floridës, Jeb Bush:

“Politika është punë e vështirë...,” thotë kandidati Jeb Bush.

“Po, dhe ti je shumë i zoti, Jeb,” i përgjigjet Donald Trumpi.

“Vendi ka nevojë për një udhëheqës; ti s’ke për t’u bërë kurrë president i Shteteve të Bashkuara duke ofenduar të tjerët gjatë procesit,” thotë zoti Bush.

“Do ta shohim. Unë kam 42% të përkrahjes në anketa; ti ke 3%. Deri tani unë jam më mirë”.

Në garën për emërimin e Partisë Demokrate, Hillary Clinton triumfoi pas një gare shumë më të fortë se ç’pritej përballë Senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders.

Sapo siguroi emërimin, zonja Clinton u hodh në sulm duke e cilësuar Donald Trumpin si të papërshtatshëm për president.

"Një njeri që provokohet nga një koment në Twitter, nuk është i përshtatshëm për të marrë në dorë komandën e armëve bërthamore,” shprehej zonja Clinton.

Por më 8 nëntor, Donald Trumpi i la të gjithë të shtangur me një fitore që pak veta e kishin parashikuar, përballë zonjës Clinton që supozohej të ishte në avantazh.

Në fjalimin e fitores, zoti Trump përdori një ton të zbutur që u duk se sinjalizonte një periudhë shërimi pas fushatës përçarëse.

“U drejtohem të gjithë republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve në këtë vend: ka ardhur koha të bashkohemi si një komb unik”.

Edhe zonja Clinton u bëri thirrje përkrahësve të saj të respektonin rezultatin:

“Donald Trump do të jetë presidenti ynë. E kemi për detyrë të tregohemi mendje-hapur dhe t’i japim mundësinë të udhëheqë”.

Një ndër faktorët për fitoren e zotit Trump ishte impulsi për ndryshim, thotë analisti Tom DeFrank.

“Mendoj se të gjithë ne, përfshirë mendian nuk e kuptuam si duhet dëshirën për ndryshim dhe si rezultat, në zgjedhje, megjithë të metat e tij, Donald Trumpi u pa si simbol i ndryshimit”.

Zoti Trump do të ketë avantazhin të vijë në Shtëpinë e Bardhë ndërkohë që Kongresi kontrollohet nga republikanët, thotë John Fortier.

“Kjo i jep mundësi Donald Trumpit të zbatojë një program qeveritar që Hillary Clinton do ta kishte shumë të vështirë ta bënte me një Kongres republikan”.

Zoti Trump tani duhet të gjejë balancën mes premtimeve që u bëri përkrahësve dhe nevojës për të bashkuar vendin pas një prej zgjedhjeve më përçarëse në historinë amerikane.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG