Lidhje

SHBA, Kongresi i ri gati për betimin


Të martën në mesditë, anëtarët e Kongresit të 115 të SHBA do të bëjnë betimin, ndërkohë që Partia Republikane, e cila ka marrë zemër nga fitorja në zgjedhje, do të përpiqet të zhbëjë politikat e Presidentit demokrat Barak Obama gjatë tetë viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Republikanët pritet të vënë në shënjestër programe të tilla të mëdha si Sigurimet Shoqërore dhe Ndihma Shëndetërore për të Moshuarit, të trashëguara nga koha e presidentëve Franklin Roosevelt dhe Lyndon Johnson.

Pas zgjedhjeve të nëntorit, republikanët vazhdojnë të kenë nën kontrollin e tyre të fortë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa në Senat do të kenë një epërsi më të vogël. Pas më pak se tre javësh, kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts do të administrojë betimin si president të zotit Donald Trump, aleatit të ri të Partisë Republikane.

Në shënjestër, politikat e Obamës

Republikanët do ta fillojnë punën me përpjekjet për shfuqizimin dhe vonimin e zbatimit të ligjit për kujdesin shëndetësor. Ata do të përpiqen të përshpejtojnë procesin e shfuqizimit të reformës në tërësi, por duke mbajtur disa prej ndryshimeve për një periudhë deri në katër vjet.

Kodi i taksave është gjithashtu në shënjestër. Konservatorët duan të shfuqizojnë rregullat mbi mjedisin si dhe rregullat financiare të krijuara pas recesionit të vitit 2008, duke argumentuar se ato e vështirësojnë shumë zhvillimin e biznesit.

Pengesa e vetme për axhendën e gjerë konservatore do të jenë demokratët në Senat, që kanë fuqi për të ushtruar të drejtën e “filibusterit”, pengimi i një ligji të caktuar me anë të fjalimeve të gjata. Por edhe kjo ka kufizimet e saj politike.

Përbërja e re e Kongresit

Nënpresidenti Joe Biden, në një nga aktet e tij të fundit zyrtare, do të administrojë betimin e senatorëve të rinj. Republikanët do të kenë një epërsi prej 52-48 në Senat.

Senati i ri do të ketë 21 gra, 16 demokrate dhe pesë republicane; tre afro-amerikanë dhe katër hispanikë.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të rizgjedhë si kryetar republikanin Paul Ryan. Republikanët do të kenë aty një epërsi 241-194 ndaj demokratëve.

Senati do të marrë në shqyrtim kandidaturat për kabinetin e ri të zotit Trump. Janë gjithsej 15 poste për krerët e departamenteve dhe 6 për agjencitë e ndryshme qeveritare në nivel kabineti, si Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe posti i ambasadorit në OKB.

XS
SM
MD
LG