Lidhje

SHBA, republikanët tërhiqen nga plani për Zyrën e Etikës


Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve u tërhoqën nga planet për t’i hequr pavarësinë Komisionit të Etikës në Kongres.

Më parë Presidenti i zgjedhur Donald Trump i kritikoi përpjekjet e republikanëve për ta mënjanuar Komisionin e pavarur të Etikës dhe për t’ia lënë ligjvënësve kontrollin e tij.

Zoti Trump tha se ligjvënësit duhet të përqendrohen në reformën e sistemit të taksave, të kujdesit shëndetësor dhe shumë gjëra të tjera shumë më të rëndësishme.

Ai u bëri thirrje atyre “të thajnë kënetën” e grupeve që shesin e blejnë interesa në Uashington.

Ligjvënësit republikanë pas një votimi me dyer të mbyllura mbrëmë vendosën me 119 vota pro dhe 74 kundër t'i hiqnin pavarësinë Komisionit.

Argumenti i tyre ishte se zyra e pavarur ndërhynte shumë tek puna e kongresmenëve.

Zyra e Kongresit për Etikën u krijua në vitin 2008, pas disa rasteve të korrupsionit në nivele të larta, ku ishin përfshirë edhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Si Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, edhe udhëheqësi i shumicës, Kevin McCarthy, të dy republikanë, ishin kundër këtij ndryshimi.

Demokratët komentuan në Twitter, duke e kritikuar me forcë amendamentin e ri. Ligjvënësit demokratë thanë se vendimi e kishte burimin tek premtimi i fushatës elektorale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, “për ta ndryshuar për mirë situatën në Washington”, me disa reforma të etikës.

Udhëheqësja e demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi, tha se ky veprim i republikanëve “në fakt do ta shkatërronte funksionin e zyrës së etikës”, duke eliminuar të vetmin komision të pavarur të organit ligjvënvës, që monitoronte veprimet e anëtarëve të Kongresit.

XS
SM
MD
LG